E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërmeti rrafshon Italinë, mbi 150 të vdekur

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Tërmeti me magnitudë 6.3 ballë të shkallës Rihter që goditi në orën 3:32 të mëngjesit të djeshëm zonën e Abrucos në Akuila, 95 kilometra në verilindje të Romës, ka shkaktuar momentalisht mbi 150 viktima, 1500 të plagosur dhe 100.000 të pastrehë. Provinca e Kastelnuovos, përshkruhet nga mediat italiane si një grumbull rrënojash. Në Akuila, epiqendra e tërmetit, ka rrënuar plotësisht një hotel, një konvikt studentësh, ndërkohë që është dëmtuar rëndë edhe spitali. Zyrtarët e sigurisë thanë se tërmeti kishte një thellësi të jashtëzakonshme, prej 28 kilometrash. Mes viktimave të shkaktuar nga tërmeti ka edhe 4 shqiptarë nga Maqedonia, ndër të cilët dhe 2 fëmijë. Kanë humbur jetën 44-vjeçari Refik Hasani, Nurie Abdiu, 41 vjeçe, Valbona Osmani, 13 vjeçe dhe Alejna Zejnulla 11 vjeçe. Katër viktimat jetonin në qytetin italian Akuila, që ka qenë edhe epiqendra e tërmetit.
Ministria e Brendshme Italiane dhe ajo e Mbrojtjes, nuk njoftojnë për viktima mes emigrantëve shqiptarë. Në zonën e Abrucos, jetojnë rreth 40 mijë emigrantë shqiptarë, ndërkohë që nuk ka asnjë njoftim për një familje me tre anëtarë, burrë e grua dhe vajzën e tyre 3-vjeçare. Nën rrënoja mendohet të ndodhen edhe 3 fëmijë të tjerë. Kreu i Mbrojtjes Civile, Bertolaso, e ka vlerësuar fenomenin si “tragjedinë më të rëndë të ndodhur që nga fillimi i mijëvjeçarit”. Ndërkaq qeveria ka shpallur gjendjen e emergjencës. Lëkundjet e tokës janë ndier edhe në kryeqytetin italian, Romë. Mediat italiane transmetojnë dëshmi të shumta të personave të ndryshëm që tregojnë për zëra që dëgjohen poshtë rrënojave e që kërkojnë ndihmë. Nën rrënoja mendohet të jenë me dhjetëra studentë. Ndërkohë qindra ndërtesa janë shembur plotësisht ose pjesërisht dhe shumë të tjera janë dëmtuar ose bërë krejtësisht të pabanueshme duke lënë rreth 100.000 të pastrehë. Lëkundjet e herëpashershme që rrezikojnë shembjen e ndërtesave të dëmtuara kanë vështirësuar procesin e ndërhyrjes së trupave të shpëtimit nën rrënoja. Natën vonë, janë nxjerrë të gjallë trupat e 6 studentëve. Ky proces është vështirësuar edhe nga fakti që prefektura, nga e cila duheshin koordinuar ndërhyrjet është shkatërruar pothuajse plotësisht. Nga ndërtesa kanë mbetur vetëm kolonat hyrëse. Gjithashtu janë dëmtuar rëndë edhe Bashkia dhe zyrat e tjera rajonale. Një mbledhje urgjente mobilizoi Komitetin për Shpëtimin Civil, ndërkohë që presidenti Xhorxho Napolitano dhe kryeministri Silvio Berluskoni marrin informacione të vazhdueshme në lidhje me gjendjen e krijuar.

I mbijetuari
Emigranti shqiptar tregon momentet e tmerrit
Emigranti shqiptar, Genti Çala, në një telefonatë nga Akuila tregon momentet e tmerrit. Çala tregon se e ka ndjerë tërmetin dhe ka dalë menjëherë jashtë në momentin e lëkundjeve. Sipas tij, shumë banesa janë shkatërruar dhe njerëzit janë në gjendje shoku. “Nuk mund të hyjmë në banesa, pasi ndërtesa ka pësuar dëmtime të mëdha. Shoh shumë njerëz në rrugë. Gra, fëmijë pleq janë jashtë dyerve të shtëpive të shkatërruara dhe po mundohen të krijojnë kushtet më minimale për veten. Janë lajmëruar tërmete të tjerë dhe kemi frikë të hyjmë brenda në shtëpi”, - thotë ai.

Sizmologu që parashikoi tërmetin u arrestua
Një shkencëtar italian kishte parashikuar ndodhjen e një tërmeti të rëndë në zonën e Aquilas disa javë para se të ndodhte katastrofa, që shkaktoi vdekjen e 50 personave deri tani, por u denoncua për përhapje paniku në popullsi. Goditjet e para në rajon u regjistruan në mesin e muajit janar dhe vazhduan me intervale të rregullta ndërmjet tyre, gjë që shkaktoi alarm në qytetin mesjetar, rreth 100 kilometra në lindje të Romës. Një muaj më parë nëpër qytet kanë qarkulluar disa automjete nga ku u komunikohej banorëve se duhej të evakuonin banesat e tyre, pasi sizmologu, Xhoakino Xhuliani, parashikoi se do të ndodhte një tërmet në atë zonë, gjë që shkaktoi irritimin e kryebashkiakut.

Berluskoni: “Ndihmë për të prekurit nga tërmeti”
Ministri Sakoni: “Dhuroni gjak”
“Po nxjerrim personat e bllokuar nën rrënoja pa përdorur mjete mekanike, është më mirë kështu”. Ka qenë kjo deklarata e Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, në konferencën e mbajtur për shtyp në kazermën e Guardia di Finanza në Akuila, ndërsa shtoi se asnjë nuk do të lihet vetëm, por do të marrë ndihmën e nevojshme. Ndërkaq, ministri Maurizio Sakoni, u ka bërë apel italianëve të dhurojnë gjak për të ndihmuar të plagosurit nga tërmeti. Për nxjerrjen e personave të mbetur nën rrënoja është mobilizuar edhe Trupa Pyjore, e cila ka dërguar 300 njësi për të mbështetur zjarrfikësit dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë, dy helikopterë, njëri prej të cilëve me një njësi në bord të specializuar për gjetjen e të humburve, dhe 3 ruspa.

“I përballojmë vetë”
BE dhe vende të tjera ofrojnë ndihmë
Vende të ndryshme nga mbarë bota kanë ofruar ndihma për shkak të fatkeqësisë së ndodhur në Itali. Një nga shefat e mbrojtjes civile italiane, ka njoftuar se për momentin "nuk kemi nevojë për ndihmë nga vende të huaja". Sipas zyrtarit Miozzo, Rusia, Gjermania, Franca, Greqia, Izraeli dhe Bashkimi Evropian, kanë ofruar menjëherë ndihmë. Rrugës që të çon për në Akuila mund të shohësh me mijëra njerëz te tronditur dhe ndërtesa të rrënuara. Sipas skuadrave të shpëtimit, zona në të cilën ata do të japin ndihmë është 30 kilometra nga qyteti i Akuilas, ku ishte epiqendra e tërmetit.

Akuila
Qytetarët në qiell të hapur
Qindra persona enden në mes të rrugëve, shesheve ose fushave të futbollit, dhe për fat të keq, nëpër rrugë mund të shohësh edhe viktima të mbuluara me një batanije. Fytyrat e të mbijetuarve janë akoma të frikësuara nga tronditja e mbrëmshme. Dhe situata bëhet akoma më e vështirë kur fillojnë të ndihen ende tronditje të vogla, por të cilat arrijnë të shembin vetëm ndërtesat gjysmë të shkatërruara. Kërkimet për gjetjen e të mbijetuarve nga tërmeti shkatërrimtar filluan që në orët e para të mëngjesit dhe ekipeve të shpëtimit u janë bashkuar edhe qytetarët e thjeshtë, që kanë mbërritur edhe nga qytete të tjera të vendit për të ndihmuar në përballimin e situatës së rëndë.
Ky lajm është publikuar: 07/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›