Nju Jork, Michelle Obama gdhendet në statujë prej dylli
NEW YORK- Zonja e parë e SHBA Mishel Obama u përjetësua në një statujë dylli në muzeun e mirënjohur Madam Tuso në Nju Jork. Statuja e Michelle Obama është e veshur me fustanin e bardhë elegant të stiluar nga Xhezon Vu, të cilin ajo e veshi mbrëmjen e marrjes së detyrës nga bashkëshorti i saj një vit më parë. Nxënësit e vegjël të një shkolle fillore në Harlem qenë ndër të parët që e panë statujën pas inaugurimit të saj. "është madhështore. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Ngjason si e vërtetë qoftë kur e sheh, qoftë kur e prek me dorë" tha nxënësja Elizanel Martinez. "Statuja duket vërtet e gjallë. Të krijohet përshtypja se sytë e saj të ndjekin ngado, ndërkohë që edhe fustani i saj është vërtet rrëzëllitës" shtoi nxënësi Alan Kuezada.Statuja prej dylli e zonjës Obama do të ekspozohet pranë asaj të bashkëshortit të saj Barak Obama, në një imitim të Zyrës Ovale. Zonja Obama është e treta ndër Zonjat e Para që nderohen me një statujë dylli në muzeun Madam Tuso. Zhaklin Kenedi e Hilari Klinton janë gjithashtu të pranishme me statujat e tyre prej dylli në sallat e këtij muzeu.(s.t/BalkanWeb)