E Hënë, 2 Nëntor 2026

Morati: Jam i zhgënjyer

25/02/2005  Pas barazimit me Porton, pronari i zikaltërve shpreh pakënaqësinë e tij për mungesën e fitoreve

Interi merr në Oporto, barazimin e 20-të të sezonit dhe kthehet në Itali me një ndjenjë hidhërimi, tashmë e zakonshme për zikaltërit. Skuadra e Mançinit, sidomos në pjesën e parë, u shpreh në nivele të larta, por nuk arriti ta mbyllte takimin para kohe. Një barazim jashtë fushe, nëse merret në Ligën e Kampioneve, nuk është për t’u hedhur poshtë, por skuadra zikaltër kthehet në Itali, me vetëdijen se kualifikimi mund të ishte siguruar që në stadiumin “Dragao”, ndërkohë që tani do të duhen vuajtje të tjera, pasi në “San Siro” do të mungojnë Kordoba e Favali, të skualifikuar, ndërkohë që Portos, do t’i rikthehet fantazisti brazilian Diego. Pronari i Interit, Masimo Morati, e konsideron barazimin e marrë në Portugali, një rezultat të mirë, por njëkohësisht nuk mund të fshehë zhgënjimin e tij, pasi fitoret po vijnë shumë rrallë. “Interi luajti mirë, por munguan dy-tre gola që ne do t’i kishim merituar. Është një moment, kur po konkretizojmë shumë pak, pasi kur mendoj për ndeshjen, më duket e pabesueshme që ka përfunduar në barazim. Megjithatë, më pëlqen mënyra se si skuadra po luan, pasi po tregon siguri në të gjitha repartet dhe kjo është e rëndësishme për moralin”- deklaron Morati, i cili lavdëron Martins dhe mbron Adrianon: “ Martins po bën gjëra shumë të mira, është i ri dhe ka shumë cilësi. Po konfirmon parashikimet optimiste që kishim rreth tij. Për Adrianon, nuk jam i shqetësuar, sepse e pashë në rritje. Ai është duke u kthyer në formën e tij më të mirë, por e rëndësishme është që mos t’i krijohet kompleksi i golit. Kur të rifillojë të shënojë, do të jetë i papërmbajtshëm, por duhet një gol sa më shpejt”. Në fakt, Adriano po kalon një periudhë “të zezë”, sepse më parë ka ardhur dëmtimi, ndërsa tani një formë fizke që nuk i lejon të shprehet në maksimumin e vet. Përveç kësaj, mungesa e golit po e trishton, siç u pa edhe në momentin e zëvendësimit: shikim i mërzitur dhe përtokë, duke vrapuar drejt dhomave të zhveshjes, pa kaluar nga stoli. Ndërkohë, Morati mendon për derbin kundër Milanit: “Do të na duhet tension, vëmendje dhe përqendrim. Duhet ta përballim këtë derbi me mentalitetin e duhur, pasi nuk kemi se ç’të humbasim. Është një ndeshje, ku duhet të luajmë shumë mirë, për t’i dhuruar një kënaqësi edhe publikut”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›