Van Nistelroi kërkon kohë
25/02/2005 Sulmuesi i Mançester Junajtid ka deklaruar se i nevojiten më shumë ndeshje të luajtura, në mënyrë që ai të rifitojë edhe një herë formën e tij më të mirë fizike. Periudha e gjatë rekuperuese prej dëmtimit në tendinën e Akilit, sigurisht që ka lënë pasojat e veta. Sipas bomberit holandez, duhet akoma kohë që ai të rikthehet përsëri si më parë. Kështu, Van Nistelroi ka zbritur për herë të parë në fushën e blertë, pas tre muajsh rekuperim, por për fat të keq, ai është përballur me Ligën e Kampioneve dhe njëkohësisht humbjen ndaj Milanit. Pavarësisht nga shija e hidhur që i ka lënë kjo humbje në “Old Traford”, holandezi ka bindjen se një aktivizim më i madh do të rikthente sërish, nuhatjen e tij magjike për të shënuar gola të shumtë me fanelën e Mançester Junajtid. Vështirësinë e parë ai e ka hasur gjatë ndeshjes me Milanin, kur nuk arriti të kontrollonte si dikur, topin e harkuar në drejtim të tij, nga mbrojtësi argjentinas Gabriel Haince. Pas humbjes në Ligën e Kampioneve dhe problemeve me formën fizike, Van Nistelroi, vazhdon të jetë optimist. Ai mendon se ndeshja e ditës së shtunë në Premier Ligë, kundër Portsmuthit, do të jetë momenti më i mirë për të nxjerrë në pah, vlerat e tij si një golashënues i padiskutueshëm. “Kuptohet se unë kam qëndruar jashtë fushave të futbollit dhe aq më tepër sfidave të tilla, për një kohë të gjatë, ka thënë Van Nistelroi. Tre muaj rekuperim nuk janë pak dhe tani ajo, për të cilën kam vërtetë nevojë është të luaj në sa më shumë ndeshje të jetë e mundur. Fizikisht ndihem mirë. I jam nënshtruar një jave seance stërvitore dhe prandaj, mendoj se jam i gatshëm për 90 minuta të plota. Ne gjithmonë kemi qenë një skuadër që kemi patur besim në vetvete. Do të jetë shumë e vështirë ajo, çfarë do të ndodhë në takimin e kthimit. Humbja këtu, do të thotë se ne duhet të fitojmë në Milano dhe sigurisht, kjo do të ishte njëra nga detyrat më të vështira që kemi patur ndonjëherë. Megjithatë, për aq sa shanset janë të hapura, ne do të vazhdojmë akoma që të besojmë në forcat tona. Mendoj se loja që ne zhvilluam, tregoi se do të jemi një kundërshtar i fortë për Milanin, në takimin e kthimit”.