Ferguson: Keroll nuk është fajtor
25/02/2005 Trajneri i Mançester Junajtid, Sir Aleks Ferguson, ka refuzuar në mënyrë kategorike që të veshë me faj, për humbjen në “Old Traford”, ndaj Milanit, portierin Roi Keroll. Sipas Ferguson, përgjegjësia nuk bie absolutisht mbi supet e gardianit të portës së djajve të kuq, të cilët u mposhtën nga vetëm një gol i shënuar prej sulmuesit argjentinas, Hernan Krespo. Përkundrazi, trajneri skocez deklaroi se Mançester Junajtid e ka provuar tashmë, se do të kthehet në një kërcënim tepër serioz për Milanin në Itali. Kështu, skuadra e Ferguson do të mundohet që të japë maksimumin në sfidën e kthimit, e cila do të zhvillohet në “San Siro”. Ky do të jetë një moment tepër i rëndësishëm për djajtë e kuq, të cilët do të përpiqen që të tregojnë se mund të kualifikohen edhe në Milano. Edhe pse Mançester Junajtid kërkon të rifitojë pozitat në Ligën e Kampioneve, duket se të gjithë në këtë skuadër nuk do ta hiqnin nga kujtesa, golin e pësuar nga Keroll, si pasojë e presionit të ushtruar nga Klarens Sedord dhe Hernan Krespo. “Ndoshta Sedorf duhet të ishte ndalur, ka komentuar Ferguson. Lojtarët tanë kërkuan ta ndiqnin në mesfushë, duke u përpjekur për të mbyllur çdo hapësirë të mundshme. Kërkuam që ta nxirrnim jashtë loje, por nuk ia dolëm qëllimit. Meqenëse askush nuk arriti ta ndalte, atëherë ai gjuajti menjëherë nga distanca”. Nga ana tjetër, Ferguson ka deklaruar se skuadra e tij duhet të marrë më shumë si shembull, ndeshjen e fituar kundër Juventusit në Torino, gjatë vitit 1999. Djajtë e kuq kanë dalë me fitore në atë takim, duke përmbysur rezultatin, nga 2-0 në 3-2. Kjo fitore iu dhuroi më pas atyre, një vend në finale dhe trofeun prestigjoz të Ligës së Kampioneve. “Ka për të qenë një ndeshje e vështirë për të gjithë ne, por nuk besoj se mund të krahasohet me fitoren kundër Juventusit, ka shtuar Ferguson. Unë mendoj se merituam më shumë se kaq, nga një ndeshje e tillë. Ishte një ndeshje e hapur nga të dyja krahët dhe Milani luajti me kujdes, duke shfrytëzuar shumë mirë rastin e volitshëm. Qetësia e të qenit mik në fushën tonë iu dha atyre një avantazh të madh, por edhe ne nuk rreshtëm së krijuari shanse për të shënuar. Sidoqoftë, ne jemi një skuadër, e cila është në gjendje që të fitojë edhe në transfertë”.