Nora: Luftëtari, thjesht rikonfirmoi forcën e tij
Sulmuesi gjirokastrit, Arlind Nora, autor i dy golave me Ilirinë, thekson se ky është sezoni i ekipit të tij, që nuk mund ta lëshojë kreun
Ishte një fitore konfirmimi ajo e Fushë-Krujës për Luftëtarin, që vazhdon të udhëheqë kategorinë e parë edhe pas javës së 25-të të kampionatit. Me Ilirinë ishte një ndeshje kyçe dhe gjirokastritët ia arritën qëllimit të marrin 3 pikët, falë dy golave të Norës dhe një të Raboshtës.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Nevil Dede ka bindur se e meriton jo vetëm superligën, por edhe titullin kampion të kategorisë së parë, ndërkohë që ka për detyrë ta ruajë këtë pozicion edhe në 5 ndeshjet që kanë mbetur, ose ta thellojë atë. Një mundësi e mirë është ndeshja e radhës me Gramshin në Gjirokastër, ku ky ekip regjistron vetëm 3-pikësha.
Nora Sulmuesi Arlind Nora ishte vendimtar në ndeshjen e fundit, ky realizoi një dygolësh për të disatën herë në këtë kampionat. Ai i hapi rrugën suksesit të Luftëtarit, duke zhbllokuar rezultatin që në minutat e para dhe duke i çliruar psikologjikisht shokët e ekipit. Për fitoren me Ilirinë, mes të tjerash, ai thekson: Duhej patjetër ta fitonim atë ndeshje dhe ia arritëm qëllimit.
Fitoret në transfertë janë shumë të rëndësishme, sidomos në këtë fazë të kampionatit, ku çdo pikë e humbur është e vështirë të rikuperohet. Ne vërtetuam edhe një herë se e meritojmë kreun dhe do të ishte mëkat, nëse do ta lëshonim në këto javë që kanë mbetur. Besoj se të gjithë janë bindur se ky është sezoni i Luftëtarit, kështu që nuk ka rrugë tjetër: superligë dhe titull kampion.
Jam i lumtur për dy golat që shënova në Fushë-Krujë, sepse ekipi im mori 3 pikët. Sigurisht që goli i shpejtë na i lehtësoi disi gjërat, sepse e hoqëm presionin e rezultatit. Mendoj se Luftëtari bëri atë që ka bërë në shumë ndeshje të këtij kampionati, luajti me sedër gjatë gjithë 90-minutëshit dhe u tregua agresiv në mbrojtje dhe në sulm.
Ishte një fitore e rëndësishme ajo me Ilirinë, por tani rëndësi ka që të shohim përpara. Në fushën tonë nuk bëhet fjalë të gabojmë dhe jam i bindur se me Gramshin do të marrin fitoren e radhës.
Në Fushë-Krujë Luftëtari pati edhe mbështetjen e tifozëve gjirokastritë, veçanërisht të grupimit Shqiponjat bluzi.
