Korçarët: Kruja dhe Vlora na japin të dy trofetë
Dy ndeshje të rëndësishme do të luajnë kampionët, nesër në Krujë në gjysmëfinalen e dytë të kupës dhe të dielën në Vlorë për kampionat
Ka përfunduar festa e fitores së fundit ndaj Tiranës për kampionët e Skënderbeut. Në fakt, kjo festë e kësaj fitoreje të madhe ka zgjatur 48 orë dhe stafi teknik dhe futbollistët tashmë e kanë mbledhur mendjen, pasi asgjë nuk ka përfunduar dhe më tepër se kaq, brenda 5 ditëve skuadra do të luajë dy transfertat më të rëndësishme të këtij sezoni.
Në Krujë ndaj Kastriotit për kupë dhe në Vlorë ndaj Flamurtarit, janë 180 minutat më të rëndësishme dhe që vlejnë vërtet sa një sezon i tërë. Kjo ka bërë që kampionët të mbajnë frymën dhe të mendojnë seriozisht për këto dy ndeshje dhe mundi dhe djersa që është hedhur gjatë këtij sezoni deri tani, do të konkretizohet vetëm në këto dy sfida.
Kastrioti në kupë Së pari, ditën e nesërme, Skënderbeut i duhet të udhëtojë drejt Krujës, ku do të luajë edhe ndeshjen e kthimit të gjysëmfinales së kupës. Ndeshja e parë në Korçë, përpara dy javësh, kujtojmë që është fituar nga kampionët me rezultatin 3-1.
Kjo do të thotë që Skënderbeu është 70% pranë finales së kupës, por asgjë nuk ka përfundur dhe futbolli prandaj është i bukur dhe nuk përjashtohen surprizat, gjë që në Korçë pak e besojnë se do të ndodhë, por që Levi dhe të tijtë i besojnë më shumë fushës së lojës. 2-0, u duhet krutanëve që të fitojnë ndaj Skënderbeut, në mënyrë që të kualifikohen, por të mos harrojmë faktin se kampionët kanë avantazh, pasi luajnë në Krujë, por stadiumi do të jetë pa tifozë dhe ky është një plus i madh për Skënderbeun.
Përpos kësaj, në javën e 20-të korçarët arritën të fitonin 2-1 në shtëpinë e Kastriotit në atë ndeshje vërtet të bukur që zhvilluan djemtë e Levit. Mbi të gjitha, do të jetë një ndeshje e hapur, ku krutanët nuk kanë se çfarë të humbasin dhe do të luajnë në sulm, ndërkohë që Skënderbeut nga ana e vet i duhet të ruajë më shumë rezultatin e ndeshjes së parë, por, pse jo, do të tentojë qoftë edhe një gol që, nëse do të ndodhte shpejt, do të mbyllte shpresat e krutanëve.
Skënderbeu e kërkon me ngulm finalen e kësaj kupe të këtij viti edhe për atë se ka dekada të tëra që nuk ka arritur deri atje, që më tepër që me shumë gjasa Skënderbeu-Tirana do të jetë kjo finale, por të presim, pasi ka edhe një akt tjetër për tu luajtur.
Flamurtari për kampionat Pas ndeshjes së kupës, që është një transfertë e vështirë, kampionët të dielën që vjen do të luajnë edhe ndeshjen e fundit të ferrit në këtë kampionat. Skënderbeu kryeson superligën dhe është pranë titullit kampion, por nëse kampionët duhet ta meritojnë vërtet këtë titull, rruga e vetme kalon nga Vlora.
Vetëm një përballje të vështirë ndaj Teutës korçarët nuk kanë arritur ta fitojnë, ndërkohë që të gjitha ndeshjet e tjera Skënderbeu i ka fituar. Pavarësisht se Flamurtari tashmë lufton vetëm për vendin e katërt në superligë, kjo nuk do të thotë që vlonjatët do të jenë më pak të mobilizuar në këtë ndeshje, aq më tepër që në Vlorë këto vitet e fundit vlonjatët kanë dalë fitues.
Një ndeshje kjo më shumë se e rëndësishme dhe këtë e di mirë krejt skuadra dhe trajneri Stanislav Levi, por atë se çfarë do të jenë në gjendje të bëjnë kampionët, do ta tregojë vetëm fusha e lojës. Morali i ekipit është më i lartë se kurrë dhe kjo është arma e plus e kuqebardhëve. Në Vlorë, Skënderbeu këtë herë do ta provojë me plot gojë që të kërkojë vetëm fitoren dhe mundësitë janë.
