E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nora e artë

Nga Express më 07 qershor 2011 në ora 11:15

Nora Gjakova po mundohet ta ndjekë rrugën e shoqes së saj, Majlinda Kelmendi. Xhudistja kosovare e ka zënë vendin e parë në garat e Kupës Evropiane për juniorë, ‘Top A’, të mbajtura gjatë fundjavës në Austri.

Në këto gara, Kosovën e kanë përfaqësuar katër xhudiste dhe tre xhudistë, derisa Nora Gjakova e ka rrëmbyer medaljen e artë, pas gjashtë fitoreve të njëpasnjëshme. Në xhiron e parë, ajo e ka mposhtur rusen Kostenko. Më pas, në luftën e dytë, Gjakova e ka mposhtur hungarezen Szabo. Në betejën e tretë të Gjakovës, viktimë e saj ishte holandezja Van Kempen.

Kështu, Nora Gjakova mbërriti në çerekfinale, ku po ashtu shënoi fitore ndaj izraelites Snir Noa. Ndërsa, xhudistja kosovare nuk u ndal as në gjysmëfinale, ku e mposhti gjermanen Herman. Në këtë mënyrë, ajo ka mbërritur në finale, ku po ashtu ka shënuar fitore duke e rrëmbyer medaljen e artë.

Njëherësh, ky është suksesi më i madh deri më tani që e ka arritur xhudistja e re kosovare, Nora Gjakova.

Në Austri, paraqitje të mirë ka pasur edhe xhudistja tjetër kosovare, 15-vjeçarja Distria Krasniqi, e cila befasoi duke e fituar medaljen e bronztë, pas katër fitoreve dhe një humbjeje.
“Distria e Nora siguruan normën për pjesëmarrje në Botërorin e juniorëve, i cili mbahet në muajin tetor, në Afrikën e Jugut”, thuhet në një njoftimin të trajnerit të tyre, Driton Kuka.

Kurse, dy kosovaret e tjera, Lirona Hoxha dhe Leutrime Krasniqi nuk kanë arritur të kualifikohen. Ndërsa, në konkurrencën e meshkujve, Korab Morina e Akil Gjakova janë eliminuar në xhiron e parë, derisa Milot Vuklit nuk i mjaftoi vetëm një fitore për të vazhduar më tutje. Në këto gara, kanë marrë pjesë rreth 1 mijë garues prej 40 shteteve të ndryshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›