BSH miraton dokumentin e politikës monetare 2009-2011
Zhvillimet në ekonominë e vendit, ecuria e treguesve monetarë dhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë për inflacionin, si dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve në një periudhë afatmesme janë disa nga pikat e dokumentit të Politikës Monetare 2009-2011.
Banka e Shqipërisë bëri të ditur se Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së miratoi në mbledhjen e fundit të saj "Dokumentin e Politikës Monetare për periudhën 2009 - 2011", si një dokument bazë për mbarëvajtjen e sistemit bankar në vendin tonë. Për vitin 2008, në raport me analizat paraardhëse, Banka e Shqipërisë konstaton një zhvendosje graduale të faktorëve të rrezikut në kahun rënës. Ndërkohë që në muajt në vijim, Banka e Shqipërisë do të analizojë me vëmendje informacionet e reja mbi ecurinë e ekonomisë, duke vlerësuar ndikimin e tyre mbi projeksionet për inflacionin dhe për treguesit e tjerë makroekonomikë dhe duke përshtatur në vazhdimësi politikën e saj monetare. Banka e Shqipërisë thekson se mbetet e gatshme të marrë masat e duhura për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në nivelet e synuara prej 3 për qind në një periudhë afatmesme, me bindjen se ruajtja e besueshmërisë së publikut në monedhën vendase dhe në institucionet financiare është një kontribut esencial në ruajtjen e ritmeve të qëndrueshme ekonomike në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.