E Shtunë, 31 Tetor 2026

Normalizohet qarkullimi në Merdare

Edhe pse në vendkalimin kufitar në Merdare, mbrëmë deri në orët e vona të natës ka qenë i bllokuar qarkullimi, duke u krijuar kështu kolona të gjata të automjeteve, situatat sot atje është normalizuar dhe se qarkullimi po zhvillohet normalisht.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, pohoi për Kosovapress se sot në këtë vendkalim nuk ka pritje fare dhe se qarkullimi, po zhvillohet normalisht në hyrje dhe në dalje të vendkalimit kufitar në Merdare.

Kelani tha se dje deri në orët e vona, ka qenë i bllokuar qarkullimi dhe se pasi që ata kanë kontaktuar me autoritetet atje, u është thënë se arsye për pengimin e qarkullimit, ka qenë mosfunksionimi i sistemit të regjistrimit të të dhënave të hyrjeve dhe daljeve, dhe se pas tejkalimit të kësaj pengese, është normalizuar qarkullimi.

“Sot në këtë vendkalim, nuk ka pritje fare dhe se qarkullimi, po zhvillohet normalisht në hyrje dhe në dalje në Merdare. Dje deri në orët e vona, qarkullimi ka qenë i bllokuar dhe janë krijuar kolona. Ne kemi pasur kontakte me autoritete atje, të cilat na kanë njoftuar se sistemi i regjistrimit të të dhënave, të hyrjeve dhe daljeve, nuk ka funksionuar dhe kjo sipas tyre ka qenë arsye, që ka penguar qarkullimin dhe janë krijuar kolonat”, tha Kelani.

Ndryshe, të premten orës 22:00, autoritetet serbe në Merdare, kanë arrestuar Mark Koshnjetin, qytetar nga Prizreni, nën dyshimin për krime lufte kundër serbëve, të kryera në vitet 1990 në Kosovë.

Familjarët e të arrestuarit Koshnjeti, kanë pohuar se ai s’ka qenë asnjëherë pjesëtare i UÇK-së dhe se ai është arrestuar derisa po shkonte për vizitë tek motra e tij në Beograd. Vajza e Markut, Valentina tha se babai i saj asnjëherë s’ka qenë pjesëtarë i UÇK-së.

“Babai im ka udhëtuar tek motra për vizitë, sepse vajza e motrës së tij, këto ditë do të martohet. Ai, asnjëherë, nuk ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe është arrestuar pa të asnjë të drejtë lidhur me këtë dyshim”, ka thënë ajo, duke pohuar se janë në dijeni, se ai tashmë është në Burgun e Beogradit.

Edhe burime tjera të Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së, bëjnë të ditur se Mark Koshnjeti nuk ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Qendra Rajonale e KMDLNJ-së në Prizren, kërkon nga mekanizmat vendorë dhe sidomos atyre ndërkombëtar, që të ndërhyjnë dhe të njëjtin ta lirojnë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›