E Shtunë, 31 Tetor 2026

Norvegjia do të ketë bashkëpunim specifik me Kosovën

Krerët më të lartë të shtetit norvegjez e kanë rikonfirmuar edhe njëherë mbështjen e fuqishme të Norvegjisë shtetin e Kosovës. Autoritetet norvegjeze i kanë premtuar kryeministrit Hashim Thaçi se Norvegjia do të ketë bashkëpunim specifik me Kosovën dhe do ta përkrahë atë në proceset politike nëpër të cilat po kalon vendi ynë.

Kryeministri Hashim Thaçi i cili po qëndron për një vizitë zyrtarë në Oslo të Norvegjisë, përveç tjerash ka marrë premtime nga udhëheqësit e shtetit norvegjez se do ta mbështesin Kosovën edhe në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Gjatë takimit të kryeministrit Thaçi me homologun e tij norvegjez, Jens Stoltenberg u tha se Norvegjia do të vazhdojë të ketë bashkëpunim të ngushtë politik me Kosovën.

”Unë kam vizituar disa herë Prishtinën, Kosovën dhe është një vend i mrekullueshëm ndërsa me kryeministrin diskutuam se si mund ta thellojmë bashkëpunimin mes dy vendeve. Ne kemi një bashkëpunim të ngushtë politik. Norvegjia është ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën dhe që nga atëherë ne kemi orfruar mbështjeje politike për Kosovën. Poashtu kemi biseduar edhe si mund të kemi bashëkpunim për zhvillimimin ekonomik të Kosovës”, ka theksuar kryeministri norvegjez Jens Stoltenberg.

Kryeministri Thaçi e njoftoi homologun e tij norvegjez lidhur me zhvillimet e fundit në dialogun që po zhvillohet në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Ne jemi të përkushtuar në arritjen e një marrëveshje, në kuadër të Kushtetutës dhe kornizës ligjore të Kosovës, me të cilën përfundimisht do të tejkalohen armiqësitë dhe do të normalizohen marrëdhëniet me Serbinë, gjë që do të ndikojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka kërkuar përkrahjen e kryeministrit norvegjez, në mënyrë që Kosova të përfshihen në Korridorin jugor të gaz përçuesit Trans Adriatik, apo siç njihet “Trans Adriatic Pipeline” ose “TAP”, duke pas parasysh që shteti norvegjez është njëri nga aksionarët më të mëdhenj.

Përfshirja e Kosovës në këtë rrjet, theksoi Thaçi, do të kishte ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kryeministri Thaçi ka mbajtur një takim eddhe me studentët shqiptarë në Osllo të Norvegjisë.

Në përbërje të delegaciont kosovar është edhe zëvendësministri i Punëve të jashtme Petri Selimi i cili ka mbajtur një ligjëratë para grupit të diplomatëve norvegjezë ku ka folur për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova,përfshirë këtu, marrëdhëniet me Serbinë, përpjekjet e Kosovës, drejt integrimeve evropiane, zhvillimin ekonomik arsimor e kulturor./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›