E Diel, 1 Nëntor 2026

Norvegjia do të njohë shtetin e Kosovës

"Kosova është një rast unik dhe nuk përbën precedent për asnjë vend tjetër, pasi ajo nuk ka qenë kurrë pjesë e Serbisë", tha Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, gjatë një takimi me sekretaren e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Elisabet Ualas. Berisha nënvizoi se pavarësia e Kosovës është një faktor thelbësor për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Zyrtarja e lartë norvegjeze tha se vendi i saj do të finalizojë së shpejti procedurat për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa shtoi se do të punohet ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin për nxitjen e bashkëpunimit mes tyre. Kryeministri Berisha theksoi se integrimi në NATO është një prej dy projekteve më madhore të shqiptarëve. Në këtë kontekst ai tha se po punohet në mënyrë intensive për zbatimin e reformave, luftën me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nga ana e saj, sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, znj. Ualas, u shpreh se vendi i saj do të vazhdojë të mbështesë procesin e reformave në Shqipëri, në përpjekje për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO. Znj. Ualas tha se arritjet e Shqipërisë janë mbresëlënëse dhe procesi i reformave është i pakthyeshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›