E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Fotot dixhitale të ALUINZI-t në "Google"

Fotografimi ajror dixhital i kryer në të gjithë territorin e Shqipërisë së shpejti do të ndodhet në faqet e "Google earth", kundrejt pagesës 1 euro. Produkti fotogrametik përbën bazën zyrtare të informacionit hartografik të territorit të Republikës së Shqipërisë dhe do të shërbejë për funksionimin e sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, funksionimin e sistemit kombëtar të adresave dhe sistemit të regjistrimit të popullsisë. Përveç këtyre shërbimeve, këto fotografime do të përdoren për të kryer studimet urbane në të gjithë territorin e vendit, zbatimin e projekteve me interes publik dhe zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga ligji nr 8402, datë 10.09.1998 "Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit". Në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri ka sugjeruar që këto fotografime t‘i dhurohen faqes së "Google", ndërsa ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, ka sugjeruar që këto foto të vendosen në faqen zyrtare të Ministrisë së Transporteve. Nga ana tjetër, numri dy i qeverisë, Gazmend Oketa, ka propozuar që kopjet e fotove të shiten, më mirë sesa të dhurohen dhe më pas Kryeministri propozon që fotot të jepen kundrejt vlerës 1 euro.

Në faqen e "Google" do të ndodhen vetëm kopjet, ndërsa fotot origjinale të produktit fotogrametrik do të depozitohen pranë ALUIZNI-t dhe arkivës shtetërore të Këshillit të Ministrave. Me anë të këtij vendimi, tashmë institucionet shtetërore nuk mund të kryejnë procedura prokurimi me fonde publike apo të donatorëve, për krijimin e produkteve hartografik të një standardi më të ulët se produkti fotogrametrik, i përftuar nga fotografimi ajror, dixhital i territorit të Republikës së Shqipërisë. Këto fotografime do të shërbejnë si bazë referuese për përditësimin dhe standardizimin dhe do të implementojnë projekte të rëndësishme me interes publik në sektorë të ndryshëm të zhvillimit të vendit, duke zgjidhur probleme si çështja e pronave, sistemin kombëtar të adresave dhe regjistrimin e popullsisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›