Nostalgji për ekonominë e centralizuar komuniste

LSI kundër privatizimeve të suksesshme të qeverisë
Opozita e majtë nuk heq dorë nga stigmatizimi dhe paragjykimi ndaj çdo procesi të suksesshëm privatizimi siç ishte rasti më i fundit me kompaninë shtetërore të Sigurimeve Shoqërore, e cila iu dha një kompanie amerikane në këmbim të një shume prej 25 milionë eurosh. Duket se edhe këtë herë jo thjesht zilia por heqja e llokmave potenciale për të përfituar nga këto institucione në të cilat ende gjallojnë hierarki të lartë të ish-qeverisjes së majtë, është arsyeja kryesore që fshihet pas kritikave formale për mungesë transparence apo dyshimet e hedhura pa kurrfarë elegance për ndonjë aferë korruptive në këtë proces.
Nën këtë frymë, Lëvizja Socialiste për Integrim, ka shprehur dje rezervat e saj për gjithë privatizimet e kryera nga qeveria Berisha në këta muaj të fundit. Sipas kryetarit të grupit parlamentar të kësaj force, Pëllumb Xhufi, “jo rastësisht këto privatizime koincidojnë me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2009” dhe se sipas tij është fare e qartë që qeveria PD “po përpiqet të krijojë likuiditete për t’i përdorur në një fushatë, që për faj e për zgjedhje të saj dhe të ortakëve të saj në reformën zgjedhore, parashikohet të jetë fushata më e kushtueshme për një vend të varfër dhe të varfëruar deri ku nuk mban më gjatë qeverisjes së korruptuar e grabitqare Berisha”.
Sipas kryetarit të grupit parlamentar “E majta për Integrim”, ndërsa qeveritë e vendeve me ekonominë më liberale të tregut po i mëshojnë rolit mbrojtës e rregullues të shtetit, duke derdhur kapital publik në kompanitë private në rrezik, kryeministri Berisha shfaqet si “tellalli i fundit i ekonomisë së tregut pa kufij e pa frena”.
“Dhe në këtë optikë, jo vetëm që nuk ka marrë asnjë masë për mbrojtjen e sistemit bankar apo për mbështetjen e kompanive private apo publike, por po i ç’bën këto të fundit, duke e çuar vendin drejt një aventure ekonomike, që vetëm një qeveri e papërgjegjshme dhe e korruptuar mund ta bëjë”, përfundoi Xhufi.
...