Rama në panik, s’bën dot pa bashkëpunëtorët e Byrosë e të Ramiz Alisë

Ka ardhur urdhri përfundimtar i Edvinit për të hequr dorë nga hipokrizia e për të dalë hapur se është në favor të mbajtjes në politikë të ish-bashkëpunëtorëve të Byrosë Politike e të Ramiz Alisë. Pas miratimit të projektligjit “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë”, Edi Rama ka lëshuar urdhrin për bojkotimin e mbledhjes nga deputetët socialistë
Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi dje me votat e mazhorancës projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë” edhe pse Partia Socialiste bojkotoi punimet e komisionit të ligjeve. Shkak i largimit ishte kundërshtimi i kërkesës së përfaqësues të PS-së për shtyrjen e diskutimit të projektligjit mbi hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtoëv të Sigurimit të Shtetit, me arsyetimin se mungonte relatori socialist i këtij projektligji, Arben Isaraj. Gjatë fjalës së tij relatori demokrat, ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, deklaroi se mazhoranca ka shprehur gjithmonë vullnetin e saj për ta kaluar këtë ligj, duke u shprehur se “në mënyrë të vazhdueshme, i kemi kërkuar Partisë Socialiste që të bëhet pjesë e projektit. Fakti që projektligji u shty nga korriku deri më dhjetor tregon që ne ishim serioz në ftesën tonë”. Bumçi theksoi gjithashtu dhe rëndësinë që projektligji të bëhej me konsensus, duke deklaruar se “sa e rëndësishme është që projektligji të bëhet me konsensus, po aq e rëndësishme është që ky projektligj të mos arkivohet dhe të mos zvarritet, si rrjedhim gjashtë muaj pas planit paraprak ta kaluar në korrik ne jemi sot gjashtë muaj dhe duket që mungon vullneti për ta kaluar bashkërisht”, deklaroi Bumçi.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i anëtari socialist në këtë komision, Pandeli Majko i cili deklaroi se “jemi këtu për të hapur dosjet, pasi përndryshe do të kishim depozituar projektligjin që para disa vitesh si grup parlamentar i Partisë Socialiste”, tha Majko. Ndërkohë nën kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, sqaroi se, “relatori që është caktuar nga ana jonë nuk është prezent për shkak të mos pasjes së një mendimi përfundimtar për ta debatuar e për ta diskutuar këtë çështje, kjo është nga pikëpamja procedurale, nga pikëpamja e përmbajtjes pa dashur t`i shtoj ndonjë gjë më shumë më duhet të ritheksoj se këtu nuk ka çështje mungesë vullneti për ta bërë këtë”, përfundoi Xhafaj.
Kreu i këtij komisioni, Ilir Rusmali, tha se ky ligj po qëndron i varur prej 6 muajsh vetëm si pasojë e kërkesave të tilla të opozitës për më tepër kohë. Pasi kërkesa e socialistëve për më tepër kohë nuk u mor parasysh dhe komisioni vijoi diskutimet deputetet socialist u larguan nga mbledhja. Me votat e shumicës komisioni miratoi draftin për “Pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë” propozuar nga Partia Demokratike.
Aldo Bumçi
“Në mënyrë të vazhdueshme, i kemi kërkuar Partisë Socialiste që të bëhet pjesë e projektit dhe fakti që projektligji u shty nga korriku deri më dhjetor tregon që ne ishim serioz në ftesën tonë. Por, sa e rëndësishme është që projektligji të bëhet me konsensus, po aq e rëndësishme është që ky projektligj të mos arkivohet dhe të mos zvarritet, si rrjedhim 6 muaj pas planit paraprak për ta kaluar në korrik, ne jemi sot 6 muaj dhe duket që mungon vullneti për ta kaluar bashkërisht”.
Pandeli Majko
“Jemi apo s’jemi për të hapur dosjet? Përgjigja është po, se ndryshe do ta kishim depozituar projektligjin që para disa vitesh si grup parlamentar i Partisë Socialiste. Pra e përsëris, përgjigja është po, jemi që të hapen”.
Fatmir Xhafaj
“Relatori që është caktuar nga ana jonë nuk është prezent, për shkak të mos qenies në dijeni dhe mos pasjes së një mendimi përfundimtar për ta debatuar e për ta diskutuar këtë çështje, kjo është nga pikëpamja procedurale. Nga pikëpamja e përmbajtjes, pa dashur t’i shtoj ndonjë gjë më shumë, sepse i artikuloj në mënyrë shumë qartë dhe të drejtpërdrejtë politikisht Majko, më duhet të ritheksoj se këtu nuk ka çështje mungesë vullneti për ta bërë këtë”.
...