E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nostalgjikët e Enverit në Kosovë i vënë flakën librit të Fevziut

Biografia “Enver Hoxha” e Blendi Fevziut digjet në një tubim të organizuar në Ferizaj të Kosovës nga “Fronti popullor për kultivimin e veprës revolucionare”. Propaganda kundër kësaj figure bëhet nga një grup i caktuar në Shqipëri, sikurse është Blendi Fevziu, nipi i Esat Pashë Toptanit”

Nostalgjikët e Enver Hoxhës në Kosovë i vënë flakën biografisë së Blendi Fevziut në një tubim të organizuar në Ferizaj. Libri më i ri publicistik i Fevziut është djegur të mërkurën nga përkrahësit e të ashtuquajturit “Fronti popullor për kultivimin e veprës revolucionare të Enver Hoxhës”. Të mbledhur në një tubim, pas jehonës që pati biografia për diktatorin në Shqipëri e Kosovë, anëtarët e këtij fronti thanë se ky libër nuk përfaqëson asgjë tjetër, veçse një propagandë të egër kundër kësaj figure. “Kjo propagandë bëhet nga një grup i caktuar në Shqipëri, sikurse është Blendi Fevziu, nipi i Esat Pashë Toptanit”, - tha profesori i filozofisë, Remzi Hasani. Ky i fundit, në cilësinë e kryetarit të Frontit ka nxjerrë para të pranishmëve dy libra: njërin të shkruar para 30 vitesh nga 12 gazetarë të Tanjugut me titull “Shqipëria e Enver Hoxhës” dhe tjetrin, biografinë e “Enver Hoxhës” të Blendi Fevziut. Hasani tha se këta dy libra nuk dallojnë shumë mes tyre, ngaqë në fokus të shkrimit kanë pasur të njëjtin personazh. “Dallimi qëndron në atë se para 30 vitesh për Enverin shkruanin ata, të cilët e konsideronin si armikun numër një për shtetin jugosllav, ndërsa tash po bëhet nga një autor, i cili është ushqyer me propagandë dhe urrejtje për këtë figurë të ndritshme të kombit. Dallimi qëndron në atë se ky i dyti është shqiptar dhe është nipi i Esat Pashë Toptanit”, - ka thënë Hasani. Pasi ka dhënë një mori arsyesh se pse duhet të digjet ky libër, fillimisht Hasani dhe bashkëpunëtorët e tij me kujdes i kanë mënjanuar nga kopertinat e dy librave fotografinë e hartës së Shqipërisë me një bunker para dhe emrin e Enver Hoxhës, dhe pastaj i kanë vënë flakën të dy librave. Libri “Enver Hoxha” i Blendi Fevziut, fill pas botimit nga ‘UET Press’ ka shënuar rekord shitjesh në Shqipëri e Kosovë. Përmes dokumentesh arkivore, rrëfimeve të bashkëkohësve, por edhe ditarit personal të Enver Hoxhës, Fevziu ka arritur të sjellë profilin shumëplanësh të njeriut që udhëhoqi diktaturën e egër në Shqipëri. E ndërsa në Shqipëri kjo biografi është pritur me interes të pazakontë e kundërshti të zbehta, kryesisht nga familjarët e Enver Hoxhës, në anën tjetër të kufirit, nostalgjikët e diktatorit shqiptar nuk kanë hezituar të kryejnë akte që të kujtojnë kohën e inkuizicionit me djegien e librit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›