Rikthehet për festat në Itali, kapet për trafik droge
Një 34-vjeçar shqiptar, i akuzuar për drejtimin e një organizate që shtrihet në Shqipëri, Itali e Belgjikë, u arrestua nga policia italiane
Rikthimi në Itali për festat e fundvitit ka mbyllur në qeli një 34-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim për trafik të lëndëve narkotike. Ai ishte dënuar në vitin 2010 me 16 vjet burg, ndërsa dyshohej se ishte një nga drejtuesit e një organizate narkotrafiku me shtrirje në Itali, Belgjikë dhe Shqipëri, por arratisja drejt vendit të origjinës e shpëtoi nga prangat. Organizata e drejtuar nga shqiptari, emri i të cilit nuk bëhet me dije nga mediat italiane, ishte shkatërruar në korrik të vitit 2010, por që ky i fundit kishte arritur të largohej nga Italia. Kapja e tij erdhi pas hetimeve intensive që vijonin prej më se një viti dhe nga monitorimi që bëhej te miqtë dhe të afërmit e tij, ku i arratisuri mund të kërkonte strehim. Ai u gjet në një banesë në periferi të kryeqytetit italian së bashku me të shoqen, por fatmirësisht nuk bëri rezistencë duke përfunduar në prangat e policisë. Më kapjen e tij shkon në 20 numri i trafikantëve të drogës të arrestuar në një operacion, i cili u shtri në Toskana, Lazio dhe Umbria përgjatë vitit 2010. Po dje, policia italiane sekuestroi 10 kilogramë marijuanë në kantinën e një shqiptari 40-vjeçar, i cili banonte në Milano. Në vazhdën e një hetimi të drejtuar nga Silvia Perruci, policia italiane ka rënë në gjurmët e një rrjeti të shpërndarjes së hashashit që mbahej në rezidencën e shqiptarit, një murator në të zezë që jetonte atje së bashku me familjen prej disa vitesh. Së bashku me marijuanën, në kantinë u gjetën edhe 60 gram kokainë dhe disa pako me marijuanë, me gjasë të bëra gati për t’u shitur natën e Vitit të Ri. Shqiptari fshihte në kantinë edhe një pushkë, një revolver të kalibrit 38, një “Beretta”, shumë fishekë dhe një maskë karnavalesh, që dyshohet se mund të jetë përdorur në grabitje të ndryshme. Burri u dërgua në burgun e San Vitores në Milano, nën akuzat e “mbajtjes së lëndëve narkotike” dhe “armëmbajtjes pa leje”.