E Diel, 1 Nëntor 2026

Ryshfeti me ndërtimet pa leje, pranga dy inspektorëve të Bashkisë

SHKRUAN: Habjon Hasani 30-12-2011 10:26

Arrestohen Arbit Medusa e Alban Zizo, pas denoncimit të mbërritur në prokurori nga Policia Bashkiake. Në pranga edhe një sekser 33-vjeçar. Merrnin deri në 100 mijë lekë të reja për të mbyllur sytë para ndërtimeve pa leje

Dy punonjës bashkiakë dhe një 33-vjeçar janë arrestuar nga policia e Tiranës, pasi akuzohen se ofronin lehtësira për ndërtimet pa leje kundrejt pagesës nën dorë. Arbit Medusa 30 vjeç, inspektor në Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë Tiranë; Alban Zizo 34 vjeç, punonjës pranë Bashkisë së Tiranës dhe Fatos Jana, i dyshuar si sekser i dy zyrtarëve, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin “mbyllnin njërin sy” kundrejt ndërtimeve pa leje, duke marrë ryshfete. Operacioni i koduar “Një kat më shumë” u realizua falë bashkëpunimit me Policinë Bashkiake dhe Task-Forcën e Prokurorisë së Tiranës, ku të parët kanë sinjalizuar veprimet e kundraligjshme të dy punonjësve, ndërsa prokuroria ka gjetur prova për arrestimin e tyre. Pas arrestimit, Medusës dhe Zizos u është komunikuar akuza e “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa Jana për “korrupsion pasiv”. Përmes një njoftimi për shtypin, Policia e Tiranës informoi se tre të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri- tjetrin kërkonin dhe merrnin shuma të ndryshme parash, që variojnë nga 80 000 deri 10 000 lekë të reja, për të lejuar në mënyrë të paligjshme qytetarë të Tiranës që të kryenin ndërtime të paligjshme kryesisht në zonën e njësisë Nr.8 Tiranë. Në bazë të hetimit të bërë nga ekipi Task-Forcë në prokurori, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, rezulton se dy punonjësit e Bashkisë, Medusa dhe Zizo dërgonin për të “negociuar” me ndërtuesit e kateve apo objekteve pa leje mikun e tyre, 33-vjeçarin Fatos Jana, i cili dyshohet se luante rolin e sekserit në këtë skemë. Hetimi ndaj tre personave ka ardhur pas një denoncimi të bërë në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me këta tre shtetas nga Policia Bashkiake. Dyshohet se dy punonjësit e Bashkisë operonin kryesisht në njësinë Nr.8 të kryeqytetit dhe ushtronin presion mbi personat që kishin ndërtuar pa leje. Ata nisnin procedurën e gjobitjes ose të shembjes së këtyre ndërtimeve, ndërsa pas presionit për prishjen e ndërtimeve pa leje, në lojë hynte i arrestuari i tretë, i cili ofronte “amnistinë” dhe ndërprerjen e procedurave në këmbim të pagesave që varionin nga 80 mijë deri në 100 mijë lekë të reja. Inspektorët dhe punonjësit e Bashkisë që lidhen me ndërtimet pa leje, kanë qenë në mënyrë të përsëritur objekt i hetimit të organeve ligjzbatuese, pasi shpeshherë inspektimet janë kthyer në “gjoba” dhe në skemë shantazhi për ata që kanë ndërtuar pa leje. Operacioni për kapjen e dy inspektorëve vjen pas aksioneve të Policisë Bashkiake për prishjen e shtesave dhe ndërtimeve pa leje në shumë zona të kryeqytetit, kohë gjatë së cilës janë konstatuar edhe rastet e toleruara në këmbim të ryshfetit. Pas arrestimit, dy inspektorët e Bashkisë janë dërguar në mjediset e Drejtorisë së Tiranës, ku do të qëndrojnë deri në përballjen me gjykatën. Ndërkohë, Prokuroria është duke përgatitur dosjen penale kundër tyre.

3

Arrestime janë kryer për skemën e korrupsionit me ndërtimet pa leje në Tiranë. Denoncimi për dy zyrtarët e Bashkisë erdhi nga vetë Policia Bashkiake pak kohë më parë

100

Mijë lekë të reja paguanin qytetarë të ndryshëm në Njësinë 8, për të ndërtuar shtesa pa leje në banesat e tyre. Pas pagesës së gjobës, këto ndërtime nuk prisheshin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›