Pronarët kundër rrethimit, vazhdon përplasja te vilat qeveritare në Vlorë
Tentativa e fundit e Gardës për të vendosur një gardh me tela dështoi pas kundërshtimit të familjes pronare të tokës, e cila thotë se ka një vendim gjykate që i jep të drejtë. Drejtoresha: S’kam asnjë vendim gjykate në dorë
Prej disa ditësh punonjësit e Gardës dhe pronarët e tokës ku ndodhen vilat qeveritare në Vlorë janë bllokuar përballë njëri-tjetrit në një konflikt, i cili duket se nuk ka marrë zgjidhje as nga një vendim gjykate. Tentativa e fundit e Gardës për të vendosur një gardh me tela dështoi pas kundërshtimit të familjes pronare të tokës.
Pronarët
Një familje vlonjate që thotë se ka fituar në të gjitha shkallët e gjykatës të drejtën e pronësisë mbi tokën, që ndodhet brenda zonës së vilave qeveritare pranë Ujit të Ftohtë në Vlorë, dhe ka marrë edhe dy leje ndërtimi, vazhdon përplasjen më Drejtorinë e Shërbimit Qeveritar. Pjesëtarë të familjes thonë se janë pronarët e tokës dhe gjatë dy ditëve të fundit janë përplasur me Drejtorinë e Shërbimit Qeveritar dhe punonjësit e Gardës, që tentojnë ta largojnë dhe të rrethojnë zonën. Anëtarët e familjes kanë debatuar ashpër edhe me drejtuesen e shërbimit qeveritar në Vlorë. Një prej pronarëve shpjegon se përmbarimi pas vendimit të gjykatës ka vendosur kufirin e tokës së tyre. “Tani, vijnë ushtarët e Gardës dhe punonjësit e zyrës së Shërbimit Qeveritar, me gjithë drejtoreshën e tyre, për të hetuar një kantier ndërtimi me leje ndërtimi të rregullt. Kjo është absurde”, thotë një prej pronarëve.
Drejtoria
Ndërsa drejtoresha e Shërbimeve Qeveritare në Vlorë deklaron se ajo nuk e njeh vendimin e gjykatës, por vetëm vendimin e qeverisë. “Ne nuk kemi asnjë lloj vendimi gjykate, unë kam një vendim qeverie dhe jam e vendosur ta zbatoj atë deri në fund. Nëse nesër mua më vjen një vendim për ta zhbllokuar, unë e zhbllokoj menjëherë. Por në Arkivin e Vlorës këta qytetarë nuk rezultojnë pronarë”, thotë drejtoresha. Madje, drejtoresha e Shërbimit të Vilave Qeveritare Vlorë, Barie Isufi, ka deklaruar se “pronarët kanë dalë me dokumente të falsifikuara”. “Është një problem i cili ka lindur që në vitin 2006 dhe ka vijuar më tej më 2008. Ka një vendim qeverie, një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 1999, ku Drejtoria e Shërbimit Qeveritar ka në administrim 15 hektarë tokë me objektet përkatëse, e cila administrohet nga Shërbimi Qeveritar, me një plan dislokimi të veçantë ruhet nga Garda e Republikës. Pas vitit 1999 e deri në këtë moment që jemi, nuk ka ndryshuar ky vendim. Ndërsa në vitin 2008 ka dalë vendimi tjetër i qeverisë, i cili kërkon hipotekimin dhe saktësimin e të gjitha rezidencave qeveritare jo vetëm për Vlorën, por edhe për qytetet e tjera”, ka thënë ajo.