E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nota per zgjedhjet BE Do flasim pas Kolegjit Zgjedhor

Komisioni Europian do të presë raportin final të OSBE-ODIHR dhe vendimin e Kolegjit Zgjedhor për t’i vënë një notë zgjedhjeve të 8 majit në Shqipëri.

Janos Martony, Ministri i Jashtëm hungarez, vendit kryesues të 27 –es europiane, në të njëjtën linjë me Catherine Ashton, kryediplomates së BE-së, ka ritheksuar mosndërhyrjen e politikës në proces, si dhe zgjidhjen e ankesave në rrugë ligjore.

“Nuk më përket mua të komentoj rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Ne e kemi sqaruar pozicionin tonë më parë, çka e ka përsëritur edhe tani Ashton, që është në kompetencën e saj. Edhe Komisioni i Punëve të Jashtme të PE-së do të debatojë për raportin e delegacionit të tij të kryesuar nga Eduard Kukan, kurse zëdhënësja e Fyles në Komisionin Europian, Natasha Buttler, ka vlerësuar votimin e qetë të 8 majit dhe është shprehur se për të bërë një vlerësim të këtyre zgjedhjeve, Komisioni Europian do të presë gjithashtu raportin final të OSBE-ODIHR dhe vendimin e Kolegjit Zgjedhor për ankesat e partive politike-tha Martony.

Këshilli i Bashkimit Europian, i drejtuar nga përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme, Catherine Ashton, ka diskutuar këtë të martë edhe për situatën paszgjedhore në Shqipëri.

Pavarësisht se ky diskutim nuk u shoqërua me konkluzione të veçanta, u mbështet mesazhi i Ashton drejtuar politikës shqiptare disa ditë më parë. Të mërkurën, Parlamenti Europian do të therrasë një seancë të posaçme për zgjedhjet në Shqipëri.

Gjovalin Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›