I hedhin granatë grupit rival, tre të plagosur
Selenicë, një sherr mes dy grupesh rivale për pak nuk ka përfunduar në tragjedi. Arrestohet një person, dy të tjerë në kërkim
VLORË- Një sherr mes dy grupesh rivale të rinjsh në qytezën e Selenicës për pak sa nuk ka përfunduar në një masakër të vërtetë. Në gjendje të dehur, njëri prej të rinjve, i ka hedhur një granatë ofensive rivalëve të tij. Si pasojë e shpërthimit janë plagosur tre vetë dhe fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të plagosur rëndë. Pas krimit, autorët e hedhjes së granatës janë larguar me shpejtësi dhe policia ka gjetur disa orë më pas makinën e tyre të braktisur.
Ngjarja
Burimet zyrtare të policisë së Vlorës pohuan dje se gjithçka ka nisur në orët e mbrëmjes së të premtes, kur të rinjtë kanë qenë duke pirë në një prej lokaleve në qendër të qytezës së Selenicës. Ata kanë nisur që të grinden me fjalë dhe rreth orës 22.30 fyerjet i kanë shpënë të rinjtë në një konfrontim fizik. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes pohuan se zënka ka degjeneruar në një sherr masiv me goditje trupore. Për një moment sherri duket se është qetësuar dhe njëra palë ka vendosur që të lërë lokalin. Pikërisht në këtë moment, një prej të rinjve që ishte përfshirë në konflikt, ka hedhur një granatë. Eksplozivi ka rënë jashtë lokalit duke lënë të plagosur shtetasit Ervis Alushi, Gentian Abazi dhe Edison Ademi. Pasi kanë kryer këtë veprim, pala e autorëve Mikel Harizaj vëllai i tij Agim Harizaj dhe shoku i tyre Romeo Rustemi, janë larguar menjëherë nga vendngjarja. Menjëherë të plagosurit janë transportuar për në Spitalin e Vlorës ku pas mjekimeve të marra janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia
Blutë kanë mundur të arrestojnë një prej vëllezërve Harizaj, Agim Harizaj ndërsa për vëllanë tjetër dhe të afërmin e tyre Romeo Rustemi është ngritur një operacion në të gjithë zonën. Mëngjesin e të shtunës, policia ka gjetur të braktisur automjetin e të arratisurve, tip "Mercedes Benz 200". Ai ndodhej në fshatin Rroms, vetëm pak kilometra nga vendi ku ndodhi ngjarja. Hetuesit pohuan se tashmë edhe qendra e operacionit është fokusuar në këtë zonë. Policia pohoi se nuk ka zbuluar ende se cili nga tre personat e lartpërmendur është edhe njeriu që ka hedhur dhe granatën duke shkaktuar jo vetëm të plagosur por ka tronditur dhe zonën e Selenicës. Hetuesit shpjeguan se personat e përfshirë në konflikt kanë qenë shokë të ngushtë me njëri tjetrin por janë zënë në emigracion. Kjo mendohet se ka qenë dhe shkaku i sherrit të dy ditëve më parë. Sipas të njëjtave burime, fatmirësisht të rinjtë e plagosur, në momentin e shpërthimit, kanë qenë pas një automjeti dhe ai i ka mbrojtur nga dëmtimet më të rënda.