E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komunistët përkujtojnë vdekjen e Enver Hoxhës

Anëtarë të Partisë Komuniste, nga 10 rrethe të ndryshme të vendit janë mbledhur dje në shtëpinë në lagjen Palorto


GJIROKASTËR- Komunistët shqiptarë kanë përkujtuar dje 11 prillin, 24 vjetorin e vdekjes së Enver Hoxhës duke u mbledhur në sheshin përpara shtëpisë së lindjes së liderit të tyre në lagjen "Palorto" të Gjirokastrës. Megjithëse të reduktuar në numër, dhjetëra anëtarë të Partisë Komuniste nga shumë rrethe të vendit si Kruja, Tirana, Durrësi, Lushnja, Vlora, Fieri, Tepelena, Përmeti, Gjirokastra e Saranda kanë udhëtuar drejt jugut të Shqipërisë e janë mbledhur në qytetin e gurtë për të përkujtuar përvjetorin e 24-të të vdekjes së Enver Hoxhës, por duke qenë se për komunistët "për Enver Hoxhën do të ketë vetëm ditë lindjeje", kanë vendosur që ceremonia e përgatitur me këtë rast të zhvillohet në shtëpinë e lindjes së ish- udhëheqësit, që sot funksionon si muze etnografik për rrethin e Gjirokastrës.
Me fotografi të ish- udhëheqësit komunist e me parulla në duar, admiruesit e pasardhësit e vijës ideologjike të tij dhe ish- Partisë së Punës së Shqipërisë kanë vendosur kurora e buqeta me lule pikërisht në derën e mbyllur, duke nderuar në këtë mënyrë figurën e tij. Ndërkaq, sheshi përpara shtëpisë ka shërbyer edhe si vendi ku është mbajtur fjala e rastit, në të cilën është vlerësuar figura e Enver Hoxhës si udhëheqësi më i madh e më i shquar i kombit shqiptar si dhe veprimtaria e tij përgjatë 40 viteve, "që nuk mund të mbulohet e as të fshihet, pasi është si dielli e era".
Sërish gjatë ditës së djeshme, të nxitur edhe nga fakti që dera e shtëpisë së lindjes qëndronte e mbyllur, komunistët kanë përsëritur kërkesat e tyre që lidhen pikërisht me këtë shtëpi. "Ne i kërkojmë pushtetit lokal, qeverisë, parlamentit dhe presidentit që nëse kjo shtëpi nuk do të kthehet ashtu si kemi kërkuar, në muze të luftës antifashiste nacionalçlirimtare, atëherë le të kthehet në muze personal të Enver Hoxhës, ku të pasqyrohet aktiviteti i tij gjatë gjithë etapave",- janë shprehur komunistët. Kështu, përveç kërkesës për rikthimin e shtëpisë së lindjes së Enver Hoxhës në muze armësh, sikurse ka ekzistuar deri në vitin 1990, komunistët kanë ribërë publike edhe kërkesën tjetër që lidhet me vendosjen e emrit të Enver Hoxhës rrugës që të çon në lagjen "Palorto", ku edhe ka lindur. Madje komunistët kanë kërkuar që kjo çështje kaq e rëndësishme të zgjidhet me anë të një referendumi popullor, ku njerëzit me votën e tyre do të vendosin. "Rruga me emrin e udhëheqësit tonë është nder dhe lavdi për të gjithë",- kanë theksuar më tej ata.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›