Ora e Debatit:Raportet president-mazhorancë

Presidenti i vendit Bamir Topi dhe lidhjet e tij me figurat më të rëndësishme të shtetit shqiptar si Kryeministri, kryetarja e Kuvendit dhe Prokurorja e Përgjithshme kanë qenë në qendër të emisionit "Ora e Debatit". Në një interviste ekskluzive për drejtorin e televizionit Ora News, Alfred Peza, kreu i shtetit shqiptar ka rrëfyer për marredheniet qëai ka ndërtuar me krerët e institucioneve duke filluar nga lideri i maxhorancës e deri tek lideri i opozitës. Përballë gazetarit Alfred Peza, kreu i shtetit ka mohuar në mënyrë të prere ndërhyrjen në punën e Prokurorise apo në çështjet që kanë tronditur maxhorancën si çështja e rrugës Durres - Kukës, tragjedia e Gërdecit apo çështja Fazlliç."Mund t'ju siguroj se nuk ka pasur absolutisht asnjë lloj tendence për të influencuar në çësthje të tilla .E rëndësishme është që drejtësia të lejohet që të punojë, por nga ana tjetër dhe vetë drejtësia duhet të punojë, detyrat janë të qarta, e përsëris, të forcojë integritetin moral dhe nga ana tjetër të rrisë profesionalizmin. Gjithçka tjetër duhet të bëhet brenda kornizave ligjore dhe eksperienca ka treguar dhe do të tregojë që ky institucion anjëherë nuk do të interferojë në asnjë lloj çështjeje", u shpreh presidenti. Tashmë mandati presidencial i Bamir Topit ka një emërues të përbashkët me parardhësin e tij dhe që janë përplasjet me maxhorancën. Pavarësisht çarjes së delegacionit gjatë samitit të NATO-s, pavarësisht akuzave publike, kreu i shtetit ka preferuar të përsërisë se marrëdheniet mes tij dhe kryeministrit janë korrekte dhe institucionale. "Marrëdhëniet e mia me kryeministrin janë institucionale dhe korrekte", u shpreh Topi.Presidenti hodhi poshtë edhe një thyerje të protokollit të përfaqësimit të Shqipërisë në samitin e NATO-s duke e konsideruar integral delegacionin që përfaqësoi vendin tonë. "Delegacioni i Shqipërisë ka qenë integral, i ndërtuar në bazën e protokollit të shtetit. Protokolli i organizmimeve të tilla bëhet nga organziatorët dhe nuk ka mundësi keqkuptimi.Kemi qenë në harmoni të plot siç e kërkon rregulli ndërinstitucional.Shqipëria ka bërë prezantim dinjitoz që tregon se Shqipëria është shtet i konsoliduar dhe serioz", pohoi Bamir Topi. Presidenti hodhi poshtë zërat për rivalitet mes tij dhe kryeparlamentares Jozefina Topalli."Unë ju siguroj që jam shumë korrekt në këto marrëdhënie dhe ky pozicion më shumë se çdo institucion tjetër të imponon që të kesh marrëdhënie shumë korrekte institucionale. Unë i qëndroj këtij pozicioni shumë korrekt dhe tentoj që çdo ditë të përsos marrëdhëniet ndërinstitucionale.Nuk ka rivalitet mes meje dhe Topallit do ishte nonsens nëse karrikja më e lartë e shtetit kërkon të bëjë rivalitet.Me intereson rritja e imazhit të vendit dhe mirëqenies të popullit tim", tha Topi. Presidenti Topi i konsideroi gjithashtu korrekte dhe institucionale raportet me kryesocialistin Edi Rama. Presidenti hodhi poshtë një takim mes tij dhe kryesocialistit Rama në vilën e Pezës. "Nuk ka pasur takim mes meje dhe Ramës", tha ai. Topi pranoi se ka pasur kërkesë nga Edi Rama për lirimin e Feride Bakos (Nënë Feridesë) për lirimin e saj, por kërkesa e tij nga presidentit është trajtuar në mënyrë ekuivalente si të gjitha kërkesat të tjera". Duke iu referuar anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian Presidenti u shpreh se "Kur i jam referuar vitit 2012, natyrisht kjo ka ardhur si pasojë e një analize logjike dhe të detajuar. Anëtarësimi në BE kërkon një rrugë të gjatë, por 2012-ta që është si pikë referimi ka dhe simbolikën e vet, duke parë edhe tendecën dhe ecurinë e gjërave dhe situatën mjaft të përmirësuar në rajonin ballkanik, ku Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm moderator.Mendoj që dhe vendet, të cilat kanë ratifikuar protokollin e NATO-s, që në përgjithësi janë vende edhe të Bashkimit Evropian, kanë një lloj rritjeje të atraktivitetit për Shqipërinë".Emisioni "Ora e Debatit" këtë herë solli edhe analizëen e 4 prej drejtuesve më të njohur të medias shqiptare.Valbona kurti, Andrea Stefani, Sami Neza dhe Ermal Hasimja kanë debatuar rreth mandatit të presidentit Topi dhe qasjes së tij ndaj detyrave që i jep ky post. Sipas tyre kreu i shtetit shqiptar duhet të luajë një rol edhe tani në prag të zgjedhjeve parlamentare. Zëvendës drejtorja e lajmeve në "Vizion +" Valbona Kurti vlerësoi se në samitin e NATO-s u paraqit një rivalitet dhe ndarje e qartë mes Presidentit Topi dhe kryeministrit Berisha. "Kjo u paraqit në konferencat për shtyp të ndara gjatë samitit, në ndërrimit e orareve", tha ajo. Sipas saj, presidenti Topi ka vepruar në mënyrë të drejtë institucionale. "Presidenti Topi ka qenë i ekilibruar, por nuk ka qenë i qartë në atë që mbronte dhe kjo paqartësi ka ardhur nga kompleksiteti nëse do përkeqësoheshin raportet e tij me mazhorancën. Ai po kalkulon se çdo të ndodhë me të pas 3-vjetësh", u shpreh Kurti.Analisti Andrea Stefani tha se politka shqitare ka një përçarje të thellë.sipas tij, diversionet mes Berishës dhe Topit vijnë pasi presidenti ka vepruar në mënyrë intitucionale dhe nuk ka bërë marrëveshje me Berishën. Ai e konsideroi anëtarësimin në NATO një dhuratë që iu bë Shqipërisë. Ai mohoi çdo meritë të politikës shqiptare për këtë anëtarësim. Sipas analistit, që mazhoranca të mos kishte mllefe me Presidentin duhet të pranonte ndarjen e pushteteve, lideri i mazhorancës duhet të pranonte se jo gjithmonë ka të drejtë, të dijë se Presidenti nuk i takon më partisë në momentin që e merr këtë pozitë, pasi ai është i pavarur. Kryeredaktori i gazetës "Standard", Sami Neza presidenti Topi vuan nga kompleksi e u zgjodh nga e djathta."Qeverisja është e djathë dhe nëse do qeverisë prapë e djathta dashje pa dashje një president është i detyruar të suportojë opozitën . Ndaj Topi duhet të çlirohet nga kompleksi se ka ardhur nga e djathta dhe të shprehë qartë pozicionin e tij", tha Neza. Analisti Ermal Hasimja tha se delegacioni shqiptar ka pasur një sjellje normale në paraqitjen në Samitin e NATO-s, ndarjen e tyre nuk e vunë re vendet e tjera, vetëm nga vendi ynë. "Ndarja mes Berishës dhe Topit ekzistonte që më parë dhe ishte normale që do shfaqej edhe në samit", tha analisti. Ai vlerësoi se fakti që mes Berishës dhe Topit nuk ka marrëveshje është diçka pozitive sepse një marrëveshje do kishte një efekt negativ", tha ai. Ai vlerësoi se gjatë mandatit të tij presidenti Topi ka qenë korrekt dhe institucional. Përgjatë më shumë se dy orëve emisioni "Ora e Debatit" ka sjellë nëpërmjet intervistës ekskluzive, por edhe nëpërmjet analizës një imazh të plotë të asaj çka ndodh në prapaskenen politike, e veçanërisht në marrëdhëniet mes krerëve më të rëndësishëm si Topi , Topalli dhe Berisha.
Pyetjes së sondazhit nëse përplasja mes Presidentit dhe mazhorancës është faji i Topit apo mazhorancës,51.4 % për Presidentin dhe 48.6 % votuan për mazhorancën.