E Shtunë, 31 Tetor 2026

Novara çmendet pas Ujkanit

Samir Ujkani ishte protagonist i padiskutueshëm i Novarës, në sukseset e këtij ekipi në Serie C (liga e tretë italiane) këtë sezon. Ky ekip mund ta sigurojë inkuadrimin në Serie B qysh të dielën (sot), në udhëtimin që do ta ketë ndaj Beneventos. Për këtë, drejtuesit e Novarës kanë filluar qysh tash të mendojnë për ekipin i cili do ta bartë barrën kryesore në ligën e dytë italiane sezonin që vjen.

Dhe, pa dyshim, njëri prej tyre është edhe portieri kosovar, Samir Ujkani. Vushtrriasi është huazuar nga Palermo te Novara, verën që shkoi, por kjo e fundit është mjaft e interesuar që ta mbajë për një kohë të gjatë ish-portierin e Anderlechtit, me të cilin është mjaft e kënaqur.

Por, në tentimin e parë, drejtuesit e Novarës kanë marrë përgjigje negative nga klubi sicilian, i cili duket se llogarit në të ardhmen te 21-vjeçari. Megjithatë, Novara do të ishte e kënaqur që ta ketë në portë, të paktën edhe sezonin e ardhshëm, përfaqësuesin shqiptar.

“Novara e ka kërkuar kartonin tim, por Palermoja nuk deshi të më shiste. Unë nuk do ta kisha problem edhe nëse shitem përfundimisht te Novara”, tha Ujkani të shtunën për Express.

Portieri kosovar nuk është aspak pishman që vendosi ta zgjidhte Novarën, gjatë verës që shkoi. Ai ndihet mjaft mirë te ky ekip, ku planifikon të qëndrojë edhe sezonin e ardhshëm.

“Jam shumë i kënaqur këtu, gjërat po shkojnë shumë mirë. Nëse arrijnë marrëveshje Palermoja me Novarën, unë do të mbetem këtu edhe sezonin që vjen. Presidenti i klubit më ka thënë se llogarit në mua, dhe për këtë jam i kënaqur. Ai gjithashtu më ka thënë se do të mundohet ta ndërtojë një ekip që do të luftojë menjëherë për inkuadrim në Serie A. Klubi ka kompleksin e mirë sportiv, stadiumin dhe çdo gjë që i nevojiten një ekipi. Me të vërtetë jam i kënaqur këtu”, vazhdoi ai.

Ujkani bëri të ditur se do ta lëshonte Novarën vetëm në rast se merr ndonjë ofertë nga një ekip i Serie A, por me kusht që i premton paraqitje në vazhdimësi, siç ia mundësoi sivjet Novara.

Për shkak të lëndimit që e kishte pësuar në gju kohë më parë, ai nuk do të jetë në gjendje ta ndihmojë Novarën të dielën, pasi që thotë se ka bërë vetëm tri stërvitje, prej se është kthyer. Sido që të jetë, Ujkani tregon se mund të paraqitet në 15 minutat e fundit të kësaj ndeshjeje, që është mjaft domethënëse për Novarën.

“Benevento është ekip i fortë dhe po lufton për një vend në play-off. Por ne, nëse e nxjerrin të paktën një barazim, do ta sigurojmë titullin e kampionin dhe inkuadrimin në Serie B për sezonin e ardhshëm”, tha në fund Ujkani.

Palermoja krenohet me Ujkanin

Palermoja duket se nuk do të heqë dorë nga Samir Ujkani, i cili pati paraqitje të shkëlqyeshme këtë sezon me Novarën. Zëvendëspresidenti i klubit sicilian, Guglielmo Micciche, ka analizuar gjendjen e portierëve të këtij klubi, duke u krenuar me atë që po bën 21-vjeçari këtë sezon.

“Shikojeni se çfarë po bën Ujkani, i cili pritet të jetë protagonist i Novarës në Serie B, sezonin e ardhshëm. Them se me portierë gjendemi mirë. Palermoja ka lojtarë me një të ardhme të ndritshme”, ka thënë Micciche për ueb faqen italiane mediagol.it.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›