E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nuk bashkëpunojmë me klanin Nano pas zgjedhjeve

14/06/2005  Shehi thotë se koalicioni do të jetë me të djathtët

Drejtuesi i fushatës elektorale të "LZHK Leka I Zogu", Dashamir Shehu, ka thënë dje se kjo lëvizje është e hapur për çdo bashkëpunim mes çdo force politike, duke përjashtuar Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj. “Pas zgjedhjeve, jemi të hapur për çdo aleancë të mundshme, duke përjashtuar klanin e Fatos Nanos”, tha Shehu. Këto deklarata ai i bëri gjatë një interviste për Zërin e Amerikës. Sipas drejtorit të fushatës së LZHK-së, kjo forcë politike synon të bashkëpunojë me ato forca politike që janë kryesisht të djathta, duke kryer dhe një alternim të qeverisjes, me qëllim për të sjellë progres dhe një të ardhme më të mirë në Shqipëri. I pyetur rreth fenomenit të Dushkut, Shehi sqaroi se objektivi i kësaj skeme të përdorur nga dy partitë e mëdha ka qenë nxjerrja jashtë skenës politike të Lëvizjes Socialistë për Integrim dhe të LZHK-së. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar ka deklaruar shpesh se do të bëjë aleancë pas zgjedhore me opozitën, por në zgjedhjet e 3 korrikut ka vendosur të dalë më vete. Nga ana e tyre, demokratët dhe aleatët e tyre e kanë konsideruar shkëputjen e partive të grumbulluara rreth LZHK-së si një lëvizje të inicuar në bashkëpunim me Kryeministrin Nano për të ulur përqindjet elektorale të opozitës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›