E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ligji për konfliktin nuk njihet

14/06/2005  Inspektoriati i Lartë kërkon krijimin e një institucioni qendror për kontrollin e pushtetarëve

Marko Bello: Publiku të informohet për të drejtat që i lindin

Marilda Bejleri

Ligji, “Për parandilimin e konflitit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike“ nuk njihet prej institucioneve shtetërore dhe nga shoqëria civile. Sipas ekspertëve, mungesa e informimit mbi këtë ligj, tashmë prej gati tri javësh të miratuar nga institucionet shqiptare, sjell zhvillim të korrupsionit. Në një tryezë të zhvilluar dje, për këtë qëllim, ministri i Shtetit, Marko Bello, tha se, pavarësisht që ligji përafron me legjislacionin evropian, zbatimi i ligjit varet vetëm nga njohja. Në takimin e organizuar nga zyra e ministrit të Shtetit për Koordinim dhe Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive ishin të pranishëm dhe përfaqësues nga ministritë, të interesuar nga shoqëria civile, komuniteti i biznesit si dhe institucionet ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri. Kreu i Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive ka vënë theksin në krijimin e një institucioni qendror, për të monitoruar zbatimin e këtij ligji. Vetëm disa ditë më parë, kreu i shtetit, Alferd Moisiu dhe ambasadorja e SHBA në vendin tonë, Marsia Ries, janë shprehur me tone kritike për zbatimin e këtij ligji.

Bello

Bashkëpunimi dhe mbështetja, që duhet të ekzistojë mes institucioneve të pavarura, veçanërisht për Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurive, do të sjellë, sipas ministrit Bello, parandalim të korrupsionit. “Krijimi i të gjitha kushteve nga qeveria, për finalizimin me sukses të kësaj nisme të rëndësishme, dëshmon angazhimin maksimal për zbatimin e tij në të gjitha nivelet, nevojën e ndërmarrjes së një procesi informimi e ndërgjegjësimi, jo vetëm në kuadër të institucioneve të larta, por në çdo institucion publik me qëllim informimin e zyrtareve mbi detyrimet e të drejtat e tyre ligjore, si dhe informimin e gjerë të publikut për të drejtat e përcaktuara nga ky ligj“, tha Bello.

Laskaj

Inspektorja e Përgjithshme e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Fatmira Laskaj, ka vënë theksin në ndërtimin e qartë dhe të unifikuar të politikave parandaluese për konfliktin e interesave. Sipas saj, “me krijimin e një institucioni qendror kërkohet që të unifikohen politikat dhe mekanizmat, që do të aplikohen nga institucionet publike për parandalimin e konfliktit të interesave. Çdo institucion i administratës publike, në varësi të natyrës së aktivitetit të tij, duhet që ta parandalojë vetë mundësinë e rënies në konflikt. Për këtë arsye, ai ndërton edhe mekanizmat e brendshëm, nëpërmjet akteve, rregulloreve dhe letrave, që titullarët e këtyre institucioneve miratojnë rast pas rasti”. Ndërkohë, në realizimin e detyrës së vet ky inspektorait i ka bërë thirrje shoqërisë civile që të jetë më aktivë në denoncimin e fenomentit të korrupsionit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›