Grunet takon Ruçin për fushatën zgjedhore
14/06/2005 Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ka zhvilluar dje një takim me shefin e misionit vëzhges të OSBE/ODIHR-it, Jorgen Grunet, për zgjedhjet e 3 korrikut në Shqipëri. Gjatë këtij takimi, dy zyrtarët kanë parë me preokupim situatën elektorale të vendit, ku realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ka qenë kryefjala e bisedimeve. Numri dy i selisë socialiste i ka garantuar ambasadorit Grunet angazhimin që partia e tij ka marrë për të zhvilluar një proces të ndershëm zgjedhor, duke respektuar Kodin Elektoral dhe Kushtetutën e vendit. Ndërkohë, mësohet se Grunet i ka përsëritur Ruçit rekomandimet e institucionit që ai përfaqëson se Shqipëria duhet të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku palët të mos kontestojnë rezultatin e votuesve shqiptarë, për t'i dhënë në këtë mënyrë të drejtën e zgjedhjes. Gjithashtu, Grunet i ka kërkuar përfaqësuesit të mazhorancës garanci për të realizuar një proces të ndershëm zgjedhor. Vetëm disa ditë më parë, shefi i misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it ka zhvilluar takime me liderin e Partisë Demokratike, për të monitoruar në këtë mënyrë zhvillimet në dy nga partitë kryesore të vendit në këtë prag zgjedhjesh. Këto monitorime do të jenë pjesë e raporteve parazgjedhore të institucionit ndërkombëtar.