E Hënë, 2 Nëntor 2026

LSI kërkon mbështetjen e emigrantëve në Greqi

14/06/2005  Xhufi: Do mbrojmë interesat e shqiptarëve në mbarë botën

Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Intregrim, Pëllumb Xhufi, ka zhvilluar një takim me emigantë shqiptarë në Athinë të Greqisë. Gjatë bisedës, numri dy i LSI-së ka theksuar se në prioritetet e kësaj force rikthimi i dinjitetit të emigrantëve shqiptarë në mbarë botën do të jetë një nga çështjet që do t'i kushtohet vëmendje. Sipas Xhufit, “Lëvizja Socialiste për Integrim do të merret seriozisht me problemin e pjesëmarrjes së emigrantëve në votime në vendin ku jetojnë”. LSI pak muaj më parë ka kërkuar që në kodin zgjedhor të vendosej që emigrantët të votojnë në vendet ku jetojnë dhe punojnë më datën 3 korrik. Ndërkohë që për ish-ambasadodin Xhufi, emigrantët përfaqësojnë ndërgjegjen e vrarë të politikës aktuale që drejton vendin. Xhufi u ka premtuar emigrantëve se në rast fitoreje të partisë, që ai përfaqëson, do të mundohet që çështja e emigrantëve të jetë çështje mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë greke. Ndërsa, duke analizuar situatën e nxehtë politike, në të cilën është futur vendi në këtë pragzgjedhjesh, Xhufi ka akuzuar dy forcat kryesore të politikës shqiptare, të cilat po destabilizojnë të gjithë procesin zgjedhor në vend. Sipas tij, “Qeveria Nano është nisur nga interesat e larta të vendit në marrëdhëniet diplomatike me fqinjët, por ka ndërtuar aleanca koniunkturale të paqëndrueshme”, tha Xhufi. Vizita e Xhufit në Greqi bëhet në një kohë kur shumë emigrantë shqiptarë pritet të vijnë në vend për të votuar në zgjedhjet e 3 korrikut si dhe për pushimet e verës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›