E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS-PD çoroditen për organizimin e debatit Nano-Berisha

14/06/2005  Ka precipituar në dilemë procesi i organizimit të debatit Nano-Berisha. Sipas negociatorit të Partisë Socialiste, Erion Braçe, “akoma jemi të paqartë në do t’i pranojë zoti Berisha dy debatet dhe do t'i pranojë apo jo dy çështjet, në të cilët do të organizohen këto debate, për politikën e brendshme dhe për politikën e jashtme. Për sa kohë që parimet tona, duan që të përfshijnë sa më shumë operatorë televizivë dhe janë të shumtë ata njerëz që janë të interesuar për këtë debat, për sa më shumë tema, të cilat shqiptarët kanë dëshirë të dëgjojnë para se të shkojnë në kutitë e votimit, nuk kemi pse të heqim dorë”. Ndërkohë lidhur me kërkesën e Partisë Demokratike, që debati të moderohet nga Blendi Fevziu, përfaqësuesi i PS-së shprehet se “normalisht nuk e shikoj pse duhet të vërtitet në një individ kjo histori, për më tepër që audienca është e garantuar, për shkak se njerëzit janë të interesuar të shohin dy liderët kryesorë, në një debat për të gjitha ato çështje që shqiptarët i shqetësojnë çdo ditë. Që nga çështje të sigurisë, nga portofoli i tyre dhe deri te shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, që, për fat të keq, janë rreth 1 milion të tillë”. Ndërsa, krahas interesave që kanë shprehur për organizimin e këtij debati, Dhoma amerikane e Tregtisë dhe ajo italiane të njëjtën gatishmëri kanë shprehur dhe përfaqësuesit e Dhomës shqiptare të Tregtisë. Sipas Luan Bregasit, ”jemi të gatshëm të organizojë tryeza dhe me kryetarin e opozitës dhe me ndonjë parti tjetër që, pavarësisht nga pesha që zë sot në politikën shqiptare dëshiron të bëjë me dije përpara biznesit politikat e veta si lidhen me sipërmarjen private”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›