E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetohet vdekja e nënës dhe bebes

RRËSHEN-Nuk është lënë në harresë nga organi i akuzës vdekja e 36-vjeçares Marina Mrrukut dhe fëmijës së saj të porsalindur, dy ditë më parë. Prokuroria e rrethit Mat sapo u informua rreth ngjarjes së rëndë, mori në pyetje mjekët dhe mamitë që kanë asistuar gjatë lindjes së 36-vjeçares fatkeqe. Prokuroria e Mirditës po heton intensivisht rreth punës së bluzave të bardha. Ekspertët e prokurorisë kanë marrë fillimisht kampione gjaku nga Marina Mrruku dhe foshnja e saj, për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së dyfishtë. Mjekët gjinekologë argumentuan se ata dyshojnë për çrregullime të hemostazës së Mrrukut, e cila ndërroi jetë teksa priste fëmijën e tretë. Kampionet e gjakut janë marrë për të parë nëse Mrruku ishte bartëse e ndonjë sëmundje. Ndërkohë, po sipas tyre, vdekja e 36-vjeçares mund të lidhet edhe me çrregullimet e hemostazës, pra nuk është arritur koagulimi i gjakut, duke sjellë hemorragji të pandalshme tek gruaja që lindi fëmijën e vdekur. Prokurorët po hetojnë edhe rreth mundësive që kishin mjekët për ta dërguar pacienten më shpejt në një spital më të specializuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›