6 muaj burg ish-kryebashkiakut
LUSHNJE – Vetwm 6 muaj heqje lirie do të vuajë ish-kreu i bashkisë së Lushnjes, Ylli Myftiu, i cili shndërroi klubin e futbollit të Lushnjes nga shoqatë sportive, në një shoqëri tregtare, e pwr pasojw duke kaluar në llogari të saj para nga shteti, me iniciativë personale. Gjykata e rrethit gjyqësor Lushnje dënoi dje Myftiun me 6 muaj burg, për akuzën e shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Procedimi penal ndaj ish-kryebashkiakut nisi më 25 tetor 2006, pas një kallëzimi të paraqitur në organin e akuzës, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Akuza e ngritur ndaj Myftiut ishte ajo e “shpërdorimit të detyrës” pasi i pandehuri ka ndjekur një procedurë joligjore në transformimin e Klubit të futbollit Lushnja, nga shoqatë sportive, në shoqëri tregtare. Sipas gjykatës së Lushnjes, “Myftiu, në cilësinë e kryetarit të bashkisë, në kundërshtim të plotë me ligjin ka urdhëruar fillimin e procedurave për transformimin e Klubit të Futbollit në shoqëri tregtare, krejtësisht me iniciativën e tij, pa pasur ndonjë propozim nga strukturat drejtuese te vet këtij klubi”. Këtë ai e ka bërë duke nxjerrë urdhrin nr. 49, të datës 17. 07. 2003, gjatë kohës që ai ishte kryetar i bashkisë Lushnje. Gjithashtu, organi i akuzës ngriti padinë për “Shpërdorim detyre”, edhe për faktin e nënshkrimit të padrejtë të urdhër-pagesës nr. 359 dhe nr. 362, datë 30. 09. 2003, nga kryebashkiaku Myftiu. Nëpërmjet tyre është urdhëruar pagimi i shumës prej 6.869.785 lekë nga fondet shtetërore në favor të firmës “Gledis" sh.p.k. Akuza e tretë për ish-kryebashkiakun e Lushnjes ishte ajo e shkaktimit të dëmit ekonomik ndaj shtetit, nëpërmjet shkeljes së dispozitave ligjore, lidhur me vlerësimin e aseteve shtetërore të ish-klubit të futbollit Lushnja dhe të çdo të drejtë tjetër reale mbi pasuritë e këtij klubi, që ka kaluar në favor të shoqërisë anonime "F. K. Lushnja". Gjykata e rrethit Gjyqësor në Lushnje, për gati një vit ka shqyrtuar çështjen penale në ngarkim së të akuzuarit dhe vetëm ditën e djeshme trupi gjykues, i kryesuar nga Dritan Caka dha dënimin me 6 muaj burg, për konsumimin e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”. Gjykata i lanë ish-bashkiakut 10 ditë afat, për të kryer apelim në gjykatën e Apelit të Vlorës.