“Nuk do ta njohim vendimin e Kolegjit Zgjedhor, po nuk më shpalli mua fitues”
Reagon Edi Rama, kandidati humbës i garës për bashkinë e Tiranës
Edi Rama ka paralajmëruar dje, se nuk do e njoh as vendimin e Kolegjit Zgjedhor, në rast se edhe ai nuk e shpall atë fitues.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shpreh të martën gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në selinë e PS-së se, vendimi i KQZ-së për të shpallur fitues të zgjedhjeve bashkiake në Tiranë kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, është i papërputhshëm me ligjin.
Nëse Kolegji do të lërë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili shpalli fitues në këtë garë kandidatin demokrat Lulëzim Basha, atëherë opozita do të rimarrë organizimin e protestave qytetare, ka paralajmëruar më tej Rama.
Sipas tij, votat e numëruara nuk përkojnë me numrin e zgjedhësve, teksa u shpreh se, rezultatin e KQZ për Tiranën nuk e njohim dhe do të konsumojmë çdo mjet ligjor e demokratik në këtë betejë.
Ai tha se rezultati do të kundërshtohet në Kolegjin Zgjedhor.
Ai theksoi se opozita nuk do të tërhiqet asnjëherë nga kauza e saj për rivendosjen e demokracisë, ndërsa shtoi se kontestimi i opozitës do të përshkallëzohet në rast se e drejta saj nuk do të njihet.
“Nëse drejtësia nuk do bëjë drejtësi, atëherë populli do gjejë rrugën për të vënë drejtësi e ne do ta udhëheqim atë”, u shpreh Rama, duke informuar se momentalisht është radha e Kolegjit për të vënë drejtësi.
Sipas tij, në rast se kjo nuk ndodh, i mbetet opozitës dhe qytetarëve të thonë fjalën e tyre. “S’ka shans që opozita të ndalet në rrugën e rivendosjes së demokracisë. Kontestimi ynë do përshkallëzohet nëse e drejta jonë nuk do të njihet ashtu siç është e drejtë ditën për diell, e parë nga të gjithë shqiptarët. Sigurisht ka kamikazë të oborrit të shtetit si banditët në KQZ, që mund ta përmbysin, por nuk ka juristë plepash që të mund ta vërë në dyshim”, nënvizoi Rama, lidhur me aksionin e ardhshëm të PS-së.
Ai ka akuzuar kreun e qeverisë se po mban nën trysni policore anëtarët e Kolegjit Zgjedhor me pretendimin se po i mbron. Rama kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që të ndërhyjë më me forcë për të shpëtuar procesin që rrezikon të ardhmen e Shqipërisë.
Ndërkohë, grupi parlamentar i PS-së do të bojkotojë punën në komisionet dhe seancat parlamentare. Ky ishte vendimi i marrë dje në mbledhjen që zhvilloi ky grupim gjatë mesditës. Burime pranë këtij takimi bënë me dije se në mbledhje ishte i pranishëm dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili u kërkoi deputetëve që të ndalin aksionin politik me shumicën qeverisëse dhe KQZ-në deri në marrjen e vendimit nga ana e Kolegjit Zgjedhor për Bashkinë e Tiranës. Mësohet se deri në një vendimmarrje të tillë, socialistët do të heqin dorë nga protestat dhe thirrjet për revolta qytetare.