E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Refuzimi për të lexuar votën është kanibalizëm”

25-05-2011 / Gazeta 55

PD, Jorida Tabaku

Partia Demokratike iu kundërpërgjigj dje deklaratës së kreu socialist Edi Rama.
Nisur nga komentet që Rama i bëri vendimit të KQZ-së për Bashkinë e Tiranës, kandidatja demokrate për këshillin bashkiak të kryeqytetit, Jorida Tabaku, akuzoi se kreu Rama nuk dëshiron të dëgjohet zëri i qytetarëve, sepse nuk i pëlqen ajo që ata kanë thënë. “Gara në këto zgjedhje ishte shumë e ngushtë dhe rrjedhimisht lind pyetja: A duhet të numërohet çdo votë dhe a duhet të dëgjohet zëri i çdo qytetari? Edi Rama që në fillim është investuar fort që të krijojë paqartësi mbi këtë çështje, sepse ai do të fshehë faktin se nuk donte që çdo votë të numërohej. Ai nuk do që të dëgjohet zëri i çdo qytetari, sepse atij nuk i pëlqejnë ato çka qytetarët kanë për të thënë”, u shpreh Tabaku.
Sipas saj, kryetari i PS-së, pasi është përpjekur që të ndalojë numërimin e çdo vote, po përpiqet të dëmtojë institucionet demokratike, në vend që të pranojë publikisht se për të këto vota nuk kanë vlerë.
Gjithashtu, në vijim të kundërpërgjigjes ndaj  kreut të socialistëve, Tabaku vuri në dukje se “nuk është kanibalizëm të përfshish në proces çdo votë, por është kanibalizëm të thuash se votat e disa qytetarëve nuk kanë vlerë. Kanibalizëm është të akuzosh pa fund dhe pa baza duke hedhur baltë dhe dyshime mbi një proces që ishte më transparenti deri më tani”.
Njëkohësisht, në po këtë linjë, kandidatja demokrate e cilësoi si kanibalizëm përdorimin e një gjuhe kërcënuese, bllokimin e rrugëve dhe rrethimin e institucioneve në përpjekje për t’i dëmtuar ato dhe imazhin e vendit.
“Pse pa asnjë bazë e asnjë fakt, Edi Rama thotë se është e paligjshme të numërohet çdo votë, kur Kushtetuta jonë garanton se çdo votë është e barabartë? Pse Edi Rama shpik histori absurde për administrimin e kutive, kur siguria e tyre është e vërtetuar (ato janë të vulosura dhe u hapën drejtpërsëdrejti në televizion), në vend që ta pranojë faktin se ai mendon që këto vota nuk kanë vlerë? Përse Edi Rama  thotë se do të përdorë çdo opsion ligjor dhe, nëse nuk ndryshohet rezultati dhe nëse ai nuk shpallet fitues, ai nuk do ta pranojë rezultatin, në vend që ta pranojë faktin se ai mendon që këto vota nuk kanë vlerë?”, vuri në dukje Tabaku.
Gjithashtu ajo kërkoi që “Edi Rama duhet të mbajë konferencë për shtyp dhe t’i përgjigjet pyetjes më të madhe që kanë qytetarët në mendje: përse Edi Rama do që të përjashtojë votat e qytetarëve?”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›