E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nuk do të jetë një pax americana

26/04/2005  Po sikur demokracia të sjellë në pushtet regjime armiqësorë ndaj Perëndimit? Nuk do të ishte problem, mjafton të zhduken tiranët nga rajoni. Fjalë të një ndërmjetësi

Shumë të rëndësishme kanë qenë edhe lëvizjet për demokraci si ajo në Ukrainë, si dhe hapësira që u është rezervuar atyre në televizione të tillë si Al Xhazira dhe Al Arabija. Për muaj të tërë kemi parë ndikimin që mund të kenë këto televizione mbi masat e arabëve: tani mund të kuptojmë impaktin që ata kanë mbi regjimet, të cilët nuk munden më t’u fshehin qytetarëve të tyre atë që ndodh në pjesën tjetër të botës

Kemi dëgjuar të flitet pak gjatë dy muajve të fundit, por kjo nuk do të thotë që kërcënimi i tyre është zbehur. Megjithatë, aftësia e tyre për të rekrutuar të rinj në Lindjen e Mesme, bie me rritjen e dëshirës për vetëvendosje, për të vendosur vetë të ardhmen dhe me anë zgjedhjesh si dhe mundësish sipërmarrjeje. Al Kaeda nuk ua ofron këto shanse: ajo vret, dhe kaq

Sapo është kthyer nga Rramallahu, ku është takuar me Mahmud Abazin, Presidentin e Autoritetit palestinez: “Rruga përpara është ende shuëm e gjatë, por Lindja e Mesme është në një moment shumë të rëndësishëm të historisë së saj. Për herë të parë, askush nuk ka më frikë nga ndryshimi”, këmbëngul Denis Ros, i cili për 12 vjet me radhë ka shërbyer si maja e shigjetës e diplomacisë amerikane në procesin e paqes në Lindjen e Mesme, fillimisht për administratën e Bushit të madh e më pas për atë të Presidentit Bill Klinton. Libri i tij “Paqja e munguar: historia e brendshme e luftës për paqe në Lindjen e Mesme” është konsideruar një lexim i detyrueshëm për ata që duan të kuptojnë tentativat që janë bërë për të arritur një marrëveshje mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Tani, në zyrat e Institutit për Politikat e Lindjes së Afërme në Uashington, Ros është një prej vëzhguesve më të besuar të evolucionit të vendeve të Lindjes së Mesme. “Në Liban dhe ndokund tjetër, demokracia është vënë me të vërtetë në lëvizje”, thotë Ros. “Nuk është e thënë që kjo të çojë pashmangshmërisht në rezultatin që do të donin amerikanët. Por, ia vlen ta ndërmarrësh këtë rrezik, për të parë tek formohen demokraci antiamerikane, nëse kjo do të thotë fund i regjimeve autoritare në rajon”.

Mendoni se tronditjet në këto vende janë konfirmim i vlefshmërisë së politikës së George Bushit në Lindjen e Mesme?

Besoj se Presidentit të SHBA duhet t’i njihet merita që zgjodhi si përgjigje ndaj kërcënimit të Islamit radikal, pikërisht përhapjen e demokracisë. Natyrisht që ekziston një lidhje ndërmjet asaj që po ndodh në Liban apo Egjipt me zgjedhjet në Irak dhe në Palestinë. Janë pikërisht komentatorët arabë, ata që nënvizojnë faktin që, të vetmet vende në Lindjen e Mesme, ku mund të zhvillohen zgjedhje të lira, janë ato të pushtuara nga forca të huaja. Por, shumë të rëndësishme kanë qenë edhe lëvizjet për demokraci, si ajo në Ukrainë, si dhe hapësira që u është rezervuar atyre në televizione të tillë si Al Xhazira dhe Al Arabija. Për muaj të tërë kemi parë ndikimin që mund të kenë këta televizione mbi masat e arabëve: tani mund të kuptojmë impaktin që ata kanë mbi regjimet, të cilët nuk munden më t’u fshehin qytetarëve të tyre atë që ndodh në pjesën tjetër të botës.

Kjo e ka detyruar Hosni Mubarakun që të premtojë zgjedhje shumëpartiake?

Eshtë dëshira për të bërë që të duket se edhe ai është në anën e duhur të historisë. Në rastin e Mubarakut bëhet fjalë për një veprim simbolik, por nuk është e thënë që ai të mos sjellë diçka më të madhe: një sinjal më konkret do të ishte anulimi i ligjit për gjendjen e jashtëzakonshme.

Cilat mendoni se do të jenë pasojat e tërheqjes së trupave siriane nga Libani?

Më lejoni të bëj një parashikim: pavarësisht tërheqjes, mendoj se sirianët do të përpiqen që të ruajnë kontrollin e vendit, dhe pjesërisht mendoj se do t’ia dalin mbanë, përmes aparatit të sigurimit. Besoj gjithashtu që do të shohim që Hezbollah do të rrisë përfaqësimin e tij në zgjedhjet e ardhshme, madje ndoshta duke e dyfishuar: është i vetmi grup që është në gjendje t’i ofrojë shërbime popullit, dhe fakti që anëtarët e tij nuk janë të korruptuar si shumë prej atyre që janë në qeveri, e rrit popullaritetin e këtij grupi. Por, kjo nuk është diçka domosdoshmërisht negative: me një pjesëmarrje më të madhe në jetën aktive politike do të vijnë edhe shpresa më të mëdha. Hezbollahu duhet të demonstrojë që do të mbrojë me të vërtetë interesat e libanezëve: nëse do të bëjë lojën e sirianëve apo iranianëve, atëherë do të paguajë pasojat politike.

Çfarë pasojash do të ketë në Irak ndryshimi që po ndodh në Liban?

Më pak të dukshme nga sa mendoni ju. E ardhmja e Irakut është e tillë që përcaktohet nga çështjet e brendshme të atij vendi, të pasurit e një qeverie gjithnjë e më të pavarur nga amerikanët si dhe nga shpejtësia, me të cilën stërviten dhe bëhen të afta forcat e sigurisë. Dhe mbi të gjitha, përfshirja e sunitëve në jetën publike: vetëm prej tyre mund të vijë inteligjencia e duhur për të mposhtur terroristët. Trupat amerikane do të qëndrojnë në Irak, derisa të jenë plotësuar këto kushte.

Ka nga ata që mendojë se i gjithë ky proces, në fund të fundit, do të prodhojë një teokraci të kontrolluar nga iranianët, ju jeni dakord?

Eshtë një hipotezë të cilës unë nuk i besoj. Natyrisht, jam i bindur se qeveria irakene, me mazhorancë shiite, nuk do t’i kundërvihet kurrë Iranit. Për ta thënë troç: është më mirë që të mos llogarisim irakenët për të izoluar mullahët në Teheran, në lidhje me bombën atomike.

Keni frikë se mos një ndërhyrje ushtarake izraelite kundër vendeve bërthamore në Iran do të frenojë marshimin e demokracisë?

Nuk më ngjan si një perspektivë e afërme. Izraelitët e shohin pa i besuar shumë sforcimin e evropianëve për të bërë marrëveshje dhe tratativa me regjimin iranian. E quajnë një lëvizje për të fituar kohë. Shpresa është që në Iran demokracia të mbërrijë përpara bombës, sepse Tel Avivi nuk mund të bashkëjetojë me një regjim si ai i Iranit, i armatosur me armë bërthamore. Nëse do të ndodhte, vende të tjerë në fakt mund të ndiqnin të njëjtën rrugë: sauditët, për shembull, mund të kenë qenë klientë të Aq Khan, shkencëtari baba i bërthamores pakistaneze.

Çfarë mund të bëjnë amerikanët për të inkurajuar zhvillimin e demokracisë në Lindjen e Mesme?

Duhet të bëhen më aktivë në procesin e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, i cili është duke ecur shumë ngadalë. Palestinezët prisnin një liri lëvizjeje, e cila ende nuk ekziston; nuk shihet as përmirësimi i premtuar i kushteve ekonomike. Izraelitët nuk i heqin postblloqet dhe nuk tërhiqen nga qytetet me shpejtësinë e kërkuar, kjo edhe sepse autoriteti palestinez ende nuk e ka forcuar aq sa duhet organizimin e tij. Duhet më shumë ndihmë nga ana e amerikanëve dhe evropianëve për të përmirësuar forcat e sigurisë, por mbi të gjithat duhet të rivihet sërish në këmbë ekonomia palestineze.

Çfarë kontributi mund të japë ish-ministri i Mbrojtjes, Pol Volfovitz, i sapozgjedhur në presidencën e Bankës Botërore?

Shumë të madh. Ndryshe nga karikatura që qarkullon nëpër gazeta, Volfovitz nuk është dogmatik, ai nuk mendon se demokracia mund të imponohet, dhe është një njeri që di t’i dëgjojë të tjerët. Dhe do të jetë shumë aktiv në të gjithë hapësirën e Lindjes së Mesme.

Çfarë roli u mbetet Osama Bin Ladenit dhe terroristëve të Al Kaedas?

Kemi dëgjuar të flitet pak gjatë dy muajve të fundit, por kjo nuk do të thotë që kërcënimi i tyre është zbehur. Megjithatë, aftësia e tyre për të rekrutuar të rinj në Lindjen e Mesme, bie me rritjen e dëshirës për vetëvendosje, për të vendosur vetë të ardhmen dhe me anë zgjedhjesh si dhe mundësish sipërmarrjeje. Al Kaeda nuk ua ofron këto shanse: ajo vret, dhe kaq. Kjo, me sa duket, nuk u mjafton më atyre që zbresin në sheshe dhe bërtasin “Mjaft”. U takon amerikanëve dhe evropianëve të kuptojnë se çfarë duhet bërë për t’i ndihmuar të ndryshojnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›