Nuk do të shkarkohem

Menaxheri i Chelseas, Andre Villas-Boas, ka theksuar se pronari i klubit, Roman Abramovich, i ka premtuar se nuk do ta shkarkojë, edhe nëse dështon të fitojë një trofe gjatë këtij sezoni.
Chelsea takohet me Newcastlen të shtunën, pas pesë humbjeve në nëntë ndeshjet e saj të fundit, përfshirë tri në Stamford Bridge. Villas-Boas pranoi se një sezon pa asnjë tituj do të ishte “dështim”.
Por, strategu i gjigantit londinez ka deklaruar: “Kam marrë garanci se nuk do të shkarkohem. Bordi ka shprehur përkrahjen e plotë”.
Chelsea u eliminua nga League Cup pas humbjes nga Liverpool të martën. Ata tani i pret një periudhë vendimtare e sezonit, duke filluar nga vizita në Newcastle të shtunën e përcjellë nga ndeshja vendimtare për kualifikim në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve kundër Valencias të martën.
Blues duhet të fitojnë ose të mbajnë portën e pamposhtur në takimin e fundit të fazës së grupeve në Stamford Bridge në mënyrë që të vazhdojnë tutje. Pas kësaj, ata janë nikoqirë të liderit të Premierligës, Manchester City të hënën, 12 dhjetor, rival ndaj të cilit aktualisht janë 10 pikë prapa.
Me Abramovichin, Claudio Ranieri, Jose Mourinho, Avram Grant, Luis Felipe Scolari dhe Carlo Ancelotti të gjithë janë larguar për shkak të rezultateve. Por, Villas-Boas, 34 vjeç, insiston se nuk do të shkarkohet – përmend kontratën e tij trevjeçare dhe faktin se pronari rus pagoi 13 milionë funte për lirimin e tij nga Porto – si dëshmi.
Menaxheri i Chelseas po ashtu mbrojti stilin e lojës ofensive të skuadrës së tij dhe theksoi se ka përkrahjen e futbollistëve të tij. “Ata (futbollistët) kurrë nuk do të humbin besimin sepse filozofia nuk është kancer i këtij klubi futbollistik. Filozofia nuk është arsye pse jemi duke humbur ndeshje, është ide e gabuar. Filozofia është të luajmë futboll të mirë për tifozët, futboll të mirë me të cilin mundohemi të fitojmë ndeshje. Ne mundohemi të bëjmë këtë”, vazhdoi ai.
Villas-Boas përveç përkrahjes nga paraardhësi i tij Carlo Ancelotti, i cili ditë më parë i bëri thirrje klubit të mos e largojë portugezin, por të tregojnë durim në punën e tij, ka edhe përkrahjen nga ish trajneri i ekipit, Avram Grant.
“Ne duhet të vazhdojmë përpara së bashku. Kam ardhur këtu për një projekt trevjeçar dhe besoj në të”, përfundoi Villas-Boas. Bilanci i Chelseas deri më tani nën drejtimin e Villas-Boasit është 12 fitore, 3 barazime dhe 6 humbje nga 21 ndeshje.