“Nuk do të votojmë ligjet me shumicë të cilësuar”

Gramoz Ruçi, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së
Partia Socialiste shprehu dje në Kuvend se nuk do të votojë asnjë ligj që kërkon 3/5 pa u përmbushur më parë pakti i propozuar nga kreu i saj Edi Rama.
Duke folur në seancën plenare të Kuvendit, kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi ka paraqitur edhe njëherë të 10 pikat e propozuara nga opozita ndërsa ka shtuar se PS-ja është e gatshme të nisë dialogun duke filluar që nga komunikimi parlamentar.
“Nëse qeveria e dëshiron votën tonë duhet të plotësojë propozimet tona sepse ne nuk kërkojmë asgjë që nuk përputhet me standardet europine. Nuk është detyrimi i opozitës ti votë ligjet vetëm se thotë kryeministri”, tha Ruçi.
Ruçi gjithashtu theksoi se integrimi i parlamentit shqiptar si institucion dhe procedurë në kornizën e integrimit evropian të Shqipërisë është A-ja pa të cilën duhet harruar përgjigja pozitive e BE-së edhe sikur të arnohen gjitha kodet e depozituara nga qeveria në përpjekje për ti hedhur hi syve Brukselit.
“Harrojeni ta fajësoni opozitën për bllokimin kur ju e mbani peng parlamentin. Askush nuk mund të bëjë pjesën tonë në reformën zgjedhore ndaj ishim të parët që caktuam të dërguarit tanë për këtë proces. Paturpësisht thuhet se s’ka marrë përgjigje letra e kreut të grupit të mazhorancës për këtë reformë. Përfaqësuesit tanë po vazhdojnë dialogun për një marrëveshje parimesh. Këto janë detyrimet e opozitës e për këto opozita është shprehur publikisht”, u shpreh ai.
Gjithashtu, kreu kuvendor socialist u ka kërkuar deputetëve të mazhorancës që në një seancë të posaçme parlamentare ta diskutojnë dhe ta miratojnë paktin e opozitës që sipas tij do t’i jepte një shans të fundit marrjes së një sinjali pozitiv për marrjen e statusit kandidat.
“Ta kthejmë krizën në një shans ku opozita do të marrë përgjegjësinë e mos marrjes së statusit kandidat të vitit të kaluar ndërsa qeveria përgjegjësinë e mos marrjes së statusit këtij viti që është akoma më e rëndë”, ka theksuar ai.