Nuk duan armë nukleare
Egjipti nuk po synon të sigurojë armë nukleare, por që rajoni të lirohet nga armatimi i tillë, deklaroi të dielën ministri i Jashtëm egjiptian, Ahmed Aboul Gheit.
Një depeshe amerikane e muajit maj 2008, e publikuar nga WikiLeaks, citonte presidentin egjiptian, Hosni Mubarak, të ketë paralajmëruar zyrtarët amerikanë se Egjipti do të mund të zhvillonte armë nukleare nëse ato i siguron Irani.
Në vitin 2007, Mubarak shpalli rifillimin e programit 20-vjeçar nuklear për përfitimin e energjisë elektrike, duke theksuar se fillimi i punës së centralit të parë nuklear egjiptian është vetëm çështje javësh.
"Egjipti nuk kërkon të sigurojë armë nukleare, sepse ato s’mund të përdoren, por edhe kushtojnë tepër shtrenjtë. Mirëpo, ne kërkojmë që i tërë rajoni të spastrohet nga armatimi nuklear”, iu tha Gheit gazetarëve, gjatë një konference të partisë së tij në pushtet.
Irani dhe Egjipti i prishën raportet në vitin 1980, pas Revolucionit Islamik në Iran, dhe pasi që Egjipti e njohu Izraelin. Dy vendet ende nuk pajtohen për çështjet si procesi paqësore në Lindjen e Mesme dhe lidhjet me Izraelin me SHBA.
Një publikim tjetër i WikiLeaks, i korrikut 2009, citon shefin e shërbimit egjiptian të zbulimit, Omar Suleiman, t’i ketë thënë zyrtarëve amerikanë se Irani po strehonte ekstremistë.
Në prill të këtij viti, Egjipti dënoi 26 persona, për të cilët pohoi se kishin lidhje me Hezbollahun libanez, dhe që mbështeteshin nga Irani. Ata akuzoheshin për planifikim të sulmeve në Egjipt. Lideri i Hezbollah, Hassan Nasrallah, dënimin e tyre e quajti “politik dhe të padrejtë”.