E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk e do bankinën

Para se të fillonte sezoni, Agon Mehmeti kishte zhvilluar 43 paraqitje në Premier Division të Suedisë me Malmon, prej tyre vetëm 8 i kishte filluar nga minuta e parë.

Sulmuesi kosovar e shfrytëzoi për mrekulli mungesën e të lënduarit Edward Ofer, duke shënuar dy golave ndaj Orebros. Tash, ai po merret seriozisht në konsideratë dhe pritet të ketë më shumë hapësira.

Sezonin e kaluar, Mehmetin kishin filluar ta quanin Super-Sub (superzëvendësues), por ai nuk dëshiron ta dëgjojë këtë më.

“Mos më quani super-zëvendësues, pasi nuk më pëlqen të më thërrisni kështu. Unë shkoj në stërvitje çdo ditë dhe dëshiroj të përmirësohem. Jam këtu për ta fituar një vend që nga fillimi i lojës”, tha Mehmeti për të përditshmen suedeze, Expressen.

Edhe pse Malmo e nisi mirë sezonin, 20-vjeçari mendon se është herët për ta quajtur Malmon si favorit për ta fituar kampionatin suedez. Ngase, edhe vitin e kaluar, ky ekip e kishte nisur mirë sezonin, me tri fitore rresht.

“Megjithatë, ne kemi një grup të mirë futbollistësh dhe do të ishte e drejtë dhe korrekte që në fund të jemi atje, lart. Kemi punuar mjaft për të bërë futboll të bukur, kjo u pa edhe ndaj Orebros”, theksoi Mehmeti, i cili luajti shumë mirë përkrah bashkëlojtarit Daniel Larsson.

Mehmeti e sheh të ardhmen e tij larg Suedisë, ndoshta në një kampionat më të fortë, siç është ai italian, të cilin e ka më të preferuarin.

“Këtë vit dëshiroj të përfitoj sa më shumë kohë që të jetë e mundur për të luajtur dhe të vazhdoj të zhvillohem. Më pas, është e qartë se dëshiroj të luaj diku në Evropë, por dëshiroj të jem i gatshëm fillimisht. Nuk dëshiroj të përfundoj në bankinë”, vazhdoi përfaqësuesi U21 i Suedisë, i cili e ka zgjedhur edhe ekipin në të cilin do të dëshironte të luante.

“Nuk do të shkonte keq tek Interi. Imagjinojeni Agon Mehmetin dhe Militon përpara”, thotë me një buzëqeshje Mehmeti, në mes të së cilës fshihet një gjysmë serioziteti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›