Nuk e harron Hitzfeld

Edhe pse i lënduar, vëmendja dhe përqendrimi i njerëzve vazhdon të jetë tek Albert Bunjaku. Sulmuesin kosovar nuk e ka harruar as selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld. 27 vjeçari tregon se ka kontakte të vazhdueshme me trajnerin gjerman, i cili këtë vit ia dha mundësinë që ta realizojë ëndrrën – pjesëmarrjen në Botërorin e Afrikës së Jugut.
“Ai kontakton shpesh me mua, më dërgon mesazhe (sms) dhe më pyet se si ndihem. Jam i lumtur për faktin se ai mendon për mua”, deklaroi futbollisti nga Gjilani për ueb faqen zvicerane 20min.ch.
Ish futbollisti i Erfurt, kur të rikthehet nga lëndimi, synon të jetë pjesë e fushatës së Zvicrës për pjesëmarrje në fazën finale të Evropianit 2012. “Do të ishte fantastike. Të luaj për Zvicrën gjithmonë është nder për mua”, nënvizoi ai.
Ndërkohë, pas një periudhe të gjatë, Bunjaku ka bërë një përparim të vogël, duke i hequr patericat, të cilat i kishte mbajtur plot 13 javë. “Që një kohë të gjatë nuk jam ndier më mirë se sot. 13 javë më janë dukur si t’i mbaja ato tërë jetën, por më në fund i kam hequr qafe”, vazhdoi përfaqësuesi zviceran, i cili planifikon që t’i rikthehet fushës së gjelbër në muajin mars, pas lëndimit të ligamenteve të gjurit që e detyruan të operohej dy muaj më parë.
Bunjaku është rikthyer të flasë pikërisht për periudhën e lëndimit dhe të intervenimit kirurgjik, që e kryer kah mesi i muajit shtator, kur e përjetonte kohën më të vështirë të karrierës. “Kur është diagnostifikuar lëndimi, ndihesha i frustruar. Pastaj u mësova pas stërvitjeve të përditshme”, shtoi ai.
Ai tregon se këtë periudhë e ka kaluar paska më lehtë falë mbështetjes së familjes së tij, përkatësisht bashkëshortes Arjeta dhe djalit, Dion. “Çdo herë që rikthehem në shtëpi, ata shkëlqejnë për mua. Kjo më jep forcë të pashpjegueshme”, pohon futbollisti kosovar, i cili sezonin e kaluar kishte realizuar 12 gola për Nurnbergun.
Këtë sezon, trajneri i Nurnbergut, Dieter Hecking, ka nevojë për Bunjakun dhe futbollisti kosovar e di këtë. Për këtë arsye, ai do të mundohet t’i shtrëngojë dhëmbët dhe të kthehet sa më shpejt për ta ndihmuar ekipin e tij, i cili e bëri të famshëm.