Paraja, rrezik për Shaqirin

Xherdan Shaqiri mban në krah një vit të shkëlqyeshëm. Ai kishte rënie të herëpashershme, por që janë normale për një lojtar të ri si ai. Eksperti i futbollit zviceran dhe njëherësh ish futbollisti turk, Kubilay Turkyilmaz, e ka analizuar situatën e talentit kosovar, duke dhënë disa udhëzime për gjilanasin.
Interesimi i klubeve të mëdha evropiane për shërbimet e tij mund ta dëmtojë përfaqësuesin zviceran. Turkyilmaz vlerëson se në këtë rast është vështirë për një futbollist që të përmbahet. Madje, eksperti turk frikësohet se për Shaqirin paraja do të fillojë të luajë rol të rëndësishëm.
“Shaq duhet ta zgjedhë një klub në të cilin do të mund të adaptohet. Unë kam vepruar kështu. Kur isha në Servette, u transferova në Bologna. Kështu ka vepruar edhe Marco Streller, që ka nënshkruar me Stuttgart. Kjo është e rëndësishme edhe për Shaqirin, që ta bëjë zgjedhjen e duhur se ku do të shkojë”, tha 43 vjeçari i cili pjesën më të madhe të karrierës e shpenzoi në futbollin zviceran.
– “Nuk duhet t’i dëgjojë shumë njerëzit, por ta zgjedhë një klub edhe nëse nuk i ofron kushte të majme. Ka kohë sa të duash për të që të arrijë deri te rrogat shumë të mëdha.
Ai pëlqen karakterin e Shaqirit, megjithëse nuk mendon se futbollisti kosovar është yll, por shton se ambienti që e rrethon e respekton.