E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk e lë futbollin

Shefki Kuqi është befasuar të mërkurën nga mediat finlandeze, të cilat kishin raportuar se 34-vjeçari është pensionuar nga futbolli. Mirëpo, e vërteta është ndryshe. Sulmuesi kosovar thotë se as që e ka ndërmend ta lërë futbollin aktiv, të paktën edhe dy vjet. Nga Moral Pozhegu më 18 gusht 2011 në ora 08:34

Sulmuesi kosovar, Shefki Kuqi, është befasuar për të keq, të mërkurën nga mediat finlandeze, të cilat e kanë pensionuar atë para kohe nga futbolli aktiv.

Gazeta e përditshme finlandeze, Iltalehti, kishte publikuar një lajm sensacional se sulmuesi vushtrrias, përmes llogarisë së tij në rrjetin social, Twitter, kishte njoftuar për përfundimin e karrierës.

Mirëpo, e vërteta është ndryshe. Ish-reprezentuesi i Finlandës as që e ka ndërmend ta lërë futbollin aktiv. Ai thotë se është befasuar kur ka dëgjuar për këtë pasi nuk është përdorues i rrjeteve sociale.

“Nuk është e vërtetë aspak që unë jam pensionuar nga futbolli aktiv. Unë nuk e përdor Twitterin dhe se nuk e di se si është përhapur ai lajm. Për këtë jam njoftuar nga menaxheri im në Finlandë, i cili më telefonoi dhe më tha: nga kur ti po e përdor Twitterin?” tregoi Kuqi për Express.

Ish-sulmuesi i disa skuadrave të njohura angleze tregon se njëherë për njëherë nuk mendon të largohet nga futbolli aktiv. “Unë shpresoj të luaj edhe dy vjet dhe ta shijoj ende futbollin”, ka thënë sulmuesi shtatlartë.

Kuqi e ka të qartë të ardhmen e tij pasi ta përfundojë karrierën si futbollist. Ai synon të merret me zejen e trajnerit, për çka veç ka filluar të shkollohet dhe të pajiset me licencën e trajnerit. Sezonin që shkoi, sulmuesi kosovar ka luajtur në Swansea City, në Derby County dhe së fundmi në Premierligë, me Newcastlen, derisa tashmë është në kërkim të skuadrës së re.

Ai ka oferta nga ekipe nga Championshipi, por thotë se do të presë derisa të përfundojë afati kalimtar i verës. “Nuk do të ngutem ta gjej skuadrën e re pasi ka ende kohë”, përfundoi Kuqi.

34-vjeçari gjatë karrierës ka veshur fanellën e disa skuadrave angleze si Stockport County, Sheffield Wednesday, Ipswich Town, Blackburn Rovers, Crystal Palace, Fulham, Swansea City, Derby County dhe Newcastle United.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›