E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajneri i Realit te Madridit Zhoze Murinjo kerkon sonte fitoren e pare

Për një njeri dhe trajner kaq shumë krenar, ky realitet duket si një poshtërim. Zhoze Murinjo do të dalë sonte në orën 23:00 në tempullin e futbollit “Kamp Nou” të Barcelonës me synim që të arrijë më në fund fitoren e parë aty.

Reali i tij do të vizitojë shtëpinë e kampionëve të Spanjës dhe të Europës, aspak i ndihmuar nga rezultati i ndeshjes së parë në “Bernabeu”, që ishte një barazim 2-2, por mjaft i entuziazmuar që “merengesit” e tij më në fund ishin superiorë në lojë ndaj katalanasve.
Historia e portugezit në “Kamp Nou” nis shpejt, që kur ai ishte ndihmës dhe përkthyes i Sër Bobi Robsonit më 1996, ndërsa anglezi ishte caktuar trajner pikërisht i Barcelonës. Në atë periudhë, ai ndihmoi Robsonin që kishte mentalitet sulmues, me aftësinë e tij në lojën mbrojtëse.

Por nga miqësia u kalua shpejt në armiqësi, pasi në 2005, Çelsi i tij u ndesh me Barcelonën në Champions. Përballjet vazhduan edhe në 2007, me suksese të dyanshme, ndërsa armiqësia kryesore arriti kur Murinjo u bë trajner i Interit.

Zikaltërit dhe katalanasit u ndeshën 4 herë në Champions në sezonin 2009-2010 dhe, pas sukseseve të para të “blaugranave”, erdhi triumfi final i portugezit që arriti ta eleminonte Barcelonën në gjysmëfinale me dy rezultate, 3-1 në Milano dhe 0-1 në “Camp Nou”.

Më tej u vazhdua me përballjet e mëdha të sezonit të kaluar, tashmë brenda në Spanjë. Pesë ndeshje i vunë përballë Murinjon dhe Guardiolën, dy në kampionat, dy në Ligën e Kampionëve dhe një në finalen e Kupës së Spanjës. Në këtë të fundit, Reali doli fitues, por në Primera dhe Champions suksesi i takoi barcelonistëve.

Janë 7 ndeshje të Murinjos në “Kamp Nou”, me asnjë fitore, 3 barazime dhe 4 humbje, dhe me golaverazhin tepër negativ, 5 të shënuar dhe 14 të pësuar. Sonte do të luhet ndeshja e tetë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›