E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk e vrava unë bashkëfshatarin

09/12/2008  I arrestuari Zalo Xite mohon akuzën

KORÇE- Zalo Xite i arrestuar ditën e shtunë për veprën penale të vrasjes me dashje, ende nuk ka pranuar që të jetë ai vrasës i bashkëfshatarit të tij, Ferat Zenunit, 53 vjeç, ku ky i fundit u gjet i vdekur në banesën e tij në datën 05.12.2008 rreth orës 14:45 minuta. Duket se 21-vjeçari do të vazhdojë të mohojë akuzën e ngritur ndaj tij. Ndërkohë burimet e policisë kanë bërë të ditur se për këtë ngjarje të ndodhur disa ditë më parë kanë prova të mjaftueshme që tregojnë se vrasja është kryer nga më shumë se një person. Megjithatë, kjo e fundit nuk ka bërë të ditur identitetin e bashkëpunëtorit të mundshëm të Xites dhe nëse ky person ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes ose jo. Gjithsesi mospranimi i akuzës duket se ka vënë në vështirësi grupin hetimor që po ndjek këtë çështje, por që mesa duket do të jenë provat materiale të grumbulluara ato që do ta vendosin ose jo të akuzuarin përballë të vërtetës mbi këtë vrasje. Ndërkaq mund të thuhet se fillimisht burimet policore e deklaruan vdekjen e 53- vjeçarit, Zenuni si një vdekje aksidentale, madje duke servirur edhe të gjitha hollësitë se si mund të kishte humbur jetën. Sipas burimeve në fjalë, vdekja e 53-vjeçarit kishte ardhur si pasojë e humbjes së ekuilibrit dhe e përplasjes së tij me kornizën anësore të dyshemesë, ku kishte marrë goditjen e parë, ndërsa më pas po për të njëjtat shkaqe ai do të rrëzohej në dyshemenë prej betoni të korridorit, ku do të ndahej përfundimisht nga jeta. Kjo vdekje do të konsiderohej aksidentale edhe për faktin sepse 53-vjeçari jetonte i vetëm dhe në çastin e rrëzimit nuk kishte patur asnjë njeri pranë që mund t’i jepte ndihmë. Gjithsesi ky version u rrëzua nga ekspertiza mjeko-ligjore, çka solli edhe një pistë tjetër të hetimit, atë të vrasjes. Hetimet e mëtejshme hodhën dyshimet se vrasja mund të ishte kryer për qëllime grabitje, ndërsa provat e mbledhura në vendin e ngjarjes treguan se akti kriminal mund të ishte kryer nga dy persona. Jo vetëm kaq, të njëjtat burime do të bënin të ditur se ishin gjetur shenjë të tilla që tregonin një ndërhyrje të dhunshme mbi viktimën, ku pranë tij ishte gjetur dhe një mjet i fortë prerës (sëpatë). Që të gjitha këto sollën arrestimin e parë, ku nën pranga ra 21-vjeçari Zalo Xite, ndërsa pritej që të arrestohej edhe bashkëpunëtori i tij, por që me sa duket shpresohej që ky person të tregohej nga 21-vjeçari Xite. Ndryshe nga sa pritej, i akuzuari për vrasje jo vetëm që nuk ka pranuar autorësinë e kësaj ngjarjeje, por në të njëjtën kohë as nuk ka bërë fjalë për ndonjë bashkëpunëtor të tij. Gjithsesi burimet që u jemi referuar, bëjnë të ditur se nga grupi hetimor është duke u punuar në mënyrë intensive, çka do të thotë se për këtë ngjarje do të ketë edhe prova të tjera të analizuara. Pavarësisht nga të gjitha këto e vërteta është se i akuzuari nuk e ka pranuar akuzën, ndërsa do të jenë hetimet e mëtejshme dhe analizat e provave ato që do të thonë fjalën e tyre përfundimtare, nëse Xite do të kthehet në shtëpinë e tij, apo do të përballet me organet e drejtësisë për aktin kriminal të kryer nga ana e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›