E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-Dega e Brendshme, muze për të persekutuarit

09/12/2008  Shkodër, shoqata e të përndjekurve në pritje të realizimit të projektit. MKTRS, ende asnjë hap

SHKODER - Shkodra, përveç vlerave të padiskutueshme historike, kulturore, artistike, sportive, tregtare, njihet edhe për persekutimin e egër dhe të pashembullt komunist menjëherë pas largimit të pushtuesit gjerman në vitin 1944. Vuajtjet e tmerrshme që janë përjetuar nga ajo pjesë e të dënuarve, të cilët arritën t’i mbijetonin egërsisë komuniste kanë nxitur prej rreth 4 vitesh shoqatën e të persekutuarve dhe të përndjekurve politikë që të kërkojnë hapjen në Shkodër të një muzeu ku të pasqyrohen të gjitha dënimet dhe krimet makabre të atij sistemi.

Muzeu

Ndrekë Bazhdari, kryetar i shoqatës së të persekutuarve të Shkodrës, sqaron se këtë kërkesë ia kanë drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe është premtuar, por deri tani nuk është kryer asnjë veprim konkret. Madje shoqata e të persekutuarve ka sugjeruar dhe vendin se ku mund të hapej një muze i tillë. Për shoqatën vendi më i përshtatshëm do të ishte burgu, i cili kishte 40 mijë të burgosur asokohe, i cili ndodhej në ambientet e ish-Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës. Ky burg ishte etiketuar nga shkodranët herë si “Burgu i Torturave” e herë si “Burgu i Madh”. Ky emërtim kishte ardhur për shkak se pothuajse të gjithë të dënuarit, kryesisht intelektualë të njohur shkodranë, pjesëtarë të familjeve të vjetra apo të pasura të Shkodrës, klerikë, tregtarë, patriotë të vërtetë, antikomunistë të flaktë, kishin kaluar më parë apo qëndruar në birucat e burgut të Degës së Brendshme tepër famëkeqe jo vetëm për Shkodrën, por edhe për të gjithë veriun e vendit tonë. Dyert e kësaj Dege të Brendshme në Shkodër konsideroheshin si më të frikshmet, pasi pothuajse të gjithë që futeshin, apo thirreshin të merreshin në pyetje përfundonin në birucat e saj, ku pasi torturoheshin nga hetuesit një pjesë e mirë gjente dhe vdekjen. Vetë kreu i shoqatës së të persekutuarve, Ndrekë Bazhdari, sot 70 vjeç, ka vuajtur në birucat e Degës së Brendshme si i burgosur politik që në moshën 17-vjeçare. Drejtuesit e shoqatës së të persekutuarve të Shkodrës theksojnë faktin se dhe sot, në muret e mbetura të këtij burgu ruhen "gjurmët" e lëna nga ish-klerikët dhe intelektualët më në zë të Shkodrës, të cilët nuk iu nënshtruan regjimit komunist. Burgu vazhdon të ruajë në mure mizoritë e sistemit komunist, ndaj është një e drejtë e gjithë atyre të mbijetuarve, si dhe e trashëgimtarëve të atyre që vdiqën në tortura në këtë burg, që ai të shërbejë si muze. Intelektuali i persekutuar Ahmet Bushati, një ndër iniciatorët për kthimin e ish-burgut të sigurimit në qendër muzeale, shprehet se "është thënë e provuar se një popull pa kujtesë historike është i destinuar të përsërisë të kaluarën e tij dhe këtë e provon çdo ditë jeta jonë politike e shoqërore”. Në birucat e burgut të ish-Degës së Brendshme janë torturuar intelektualët Myzafer Pipa, Imzot Ernesto Çoba, At Zef Pllumbi, At Bernardin Palaj, Papa Jani e shumë figura të njohura të Shkodrës.

MUZEU

Për të persekutuarit vendi më i përshtatshëm do të ishte burgu, i cili kishte 40 mijë të burgosur, i cili ndodhej në ambientet e ish-Degës së Punëve të Brendshme.

NDËRTESA

Në 1998 ndërtesa e Degës së Brendshme iu kthye pronarëve të mëparshëm, Provinçës Françeskane, të cilët mirëpritën projektin, i cili është pezull prej 2 viteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›