E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Nuk është identifikuar ende trupi i pajetë, hetimet vazhdojnë”

16/06/2005  Prokuroria rrëzon pretendimet e mjekut ligjor për identitetin e kufomës së “Arës së Sollakut”

ELBASAN - Prokuroria e Elbasanit deklaroi dje se identiteti i kufomës femër, të gjetur disa ditë më parë në kilometrin 25 të aksit rrugor Tiranë–Elbasan, ende nuk është identifikuar. Me këtë deklaratë të saj, organi i akuzës, ka zhvlerësuar deklaratën e pak ditëve më parë të mjekut ligjor.

Prej dy javësh trupi i viktimës, qëndron në morgun e Spitalit të Elbasanit dhe hetimet kanë qenë të mjegullta për vetë zvarritjet në identifikimin e saj.

Prokuroria

Identiteti i kufomës nuk është konfirmuar ende dhe procedurat janë në vazhdim, kanë bërë të ditur dje burime të Prokurorisë së Rrethit të Elbasanit.

Sipas kryeprokurorit Durim Bedini, mësohet se “nuk ka një përfundim të plotë në lidhje me identitetin e kufomës dhe kështu nuk mund të deklarohet zyrtarisht se trupi i përket Mimoza Xhamisë. Janë në vazhdim të gjitha procedurtat për identifikimin e plotë të viktimës, por ende nuk është zyrtarizuar plotësisht dhe nuk ka të dhëna të sakta se viktima është identifikuar”, ka thënë Bedini.

Për sa i përket hetimit për vrasjen, kryeprokurori i rrethit ka siguruar se hetimet vazhdojnë ndërsa nuk ka pranuar të japë hollësira.

“Ne jemi në vazhdim të procedurave për zbardhjen e identitetit dhe ngjarjes. Hetimet janë në vazhdimësi dhe për këtë arsye nuk mund të konfirmojmë asnjë rezultat përfundimtar”, ka përfunduar Bedini.

Mjeku

Pak ditë më parë, mjeku ligjor “identifikoi” Mimoza Xhaminë, si viktimën e “Arës së Sollakut”. Sipas mjekut, ajo u identifikua nga një dentist, pikërisht nga protezat e saj.

Nisur nga këto, sipas mjekut ligjor Altin Kënuti, mësohet se, “viktima është 33-vjeçarja Mimoza Xhamia, lindur në Bilisht dhe banuese në Durrës, nënë e një fëmije”.

Kënuti konfirmoi gjithashtu se trupi i Mimozës vazhdon të qëndrojë në morgun e spitalit, në pritje që familjarët të vijnë të tërheqin për të kryer më pas ritet e fundit.

Kënuti saktësoi se konkluzioni për identifikimin e gruas ka ardhur nga proteza dhëmbëve, e cila, sipas të motrës, ka sjellë edhe identifikimin e plotë të saj, kjo pasi djegia e trupit ka zhdukur shumë prova, të cilat do të sillnin identifikimin e menjëhershëm të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›