E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tentoi arratisjen nga dritarja,pranga të dënuarit për vrasje

16/06/2005  Ishte dënuar nga gjykata me 23 vjet burg

FIER - Një aksion i mirorganizuar nga ana e policisë së Fierit, bëri të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë, në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, 29-vjeçarin Gentian Hasani, banues në Fier. Prangosja e Hasanit u bë gjatë një tentative të tij, për t’ju shmangur policisë, duke zgjedhur për t’u hedhur nga dritarja e shtëpisë ku qëndronte i fshehur.

Sipas policisë së Fierit, mësohet se Gentian Hasani, ka qenë person në kërkim për veprën penale të vrasjes me paramendim dhe në bashkëpunim si dhe armëmbajtjes pa leje. Të njëjta burime saktësuan se ky shtetas paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore, gjë që e evidentoi dhe në momentin e kapjes nga ana e forcave të policisë fierake. Në momentin e arrestimit, Hasani ka qenë në shtëpinë njëkatëshe të xhaxhait të tij, sqarojnë burime të policisë. Kur ai kishte ndjerë ardhjen e policisë, kishte tentuar të largohej nga dritarja e shtëpisë në anën tjetër të banesës, ndërsa mbante dy pistoleta në duar. Kanë qenë forcat e policisë, të cilat kanë bërë të mundur ndalimin dhe arrestimin e tij.

Sipas policisë, Gentian Hasani ishte dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier me 23 vjet burg për veprën penale të vrasjes me paramendim të shtetasit Arben Biba, në bashkëpunim dhe me shtetasin Lulëzim Beqiri. Kjo vepër penale ka ndodhur më 15 tetor 2001 në qendër të qytetit të Fierit, për motive të dobëta.

Sipas informacionit zyrtar, mësohet se dy vrasësit e Bibës, Hasani dhe Beqiri, kishin vjedhur më parë me thyerje dyqanin e celularëve të viktimës.

Pas vrasjes së tij, shtetasi Hasani ka qenë në Itali dhe më pas në Greqi. Ai kishte vetëm pak ditë në Shqipëri. Aktualisht procesi gjyqësor ndaj shtetasit Gentian Hasnai është dërguar për apelim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›