Gjykata refuzon trafikantin e 17 kg heroinë
TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda ka rrëzuar dy ditë më parë kërkesën e Ardian Rexhepit për gjykim me kohë të shkurtuar. Kërkesa e bërë nga mbrojtësi ligjor i të pandehurit Rexhepi, të akuzuar si korrierin e 17 kilogramëve heroinë në drejtim të Greqisë, nuk u pranua nga pesëshja gjykuese. Sipas togave të zeza të kësaj gjykatë, dosja në ngarkim të Ardian Rexhepit dhe Erion Vodës e Julian Gegës, të dy në mungesë nuk mund të shqyrtohet në gjendjen që ndodhen aktet. Në vijim do të vazhdohet me paraqitjen e provave shkresore si edhe me dëgjimin e dëshmitarëve të kërkuar nga palët. Ardian Rexhepi u arrestua në maj të vitit 2008, në pikëkalimin kufitar të "Tre urave" në Përmet, teksa po tentonte të kalonte me autoveturën e tij një sasi prej 17.5 kilogramë heroinë në drejtim të Greqisë. Sipas hetimeve të Prokurorisë për Krimet e Rënda, Rexhepi ishte "korrieri" i drogës, ndërsa dy të pandehurit e tjerë ishin dërguesi nga Shqipëria dhe pritësi në Greqi. Në kërkesën për gjykim ndaj Rexhepit pohohej se transporti i lëndës narkotike bëhej në këmbim të shumës prej 2500 euro. ar.ba