E Diel, 1 Nëntor 2026

Terroristë në Egjipt, gruaja shqiptare me 7 të arrestuarit

 

EGJIPT - Një grua me origjinë shqiptare u arrestua të dje nga policia në Kairo së bashku me gjashtë persona të tjerë nga Egjipti, Britania, Belgjika, Palestina dhe Tunizia, të akuzuar për komplot terrorist. Agjencia e lajmeve AFP, njoftoi dje se "Egjipti tha të shtunën se policia ka arrestuar shtatë anëtarë të një qelize të Al-Kaidas. Ata besohet se janë përgjegjës për planin e sulmit terrorist në kryeqytetin egjiptian, Kajro i cili vrau një turist francez". Ministria e Brendshme tha se të arrestuarit janë një grua me origjinë shqiptare, një britanik, dy egjiptianë, dy palestinezë, një belg dhe një tunizian. Policia tha se arriti t'i identifikojë të dyshuarit përmes informacioneve të marra nga shërbimet e saj si dhe nga vëzhgimi që u është bërë atyre prej disa muajsh. Sipas Ministrisë së Brendshme në Kajro, dy shtetasit egjiptianë dhe të tjerët, dyshohet se kanë lidhje me organizatën terroriste ndërkombëtare Al-Kaida. Sulmi terrorist për të cilin akuzohen të arrestuarit mësohet se ka ndodhur në pazarin Khan al-Khalil më 22 shkurt 2009. Ministria e Brendshme e Egjiptit, tha se celula, e cila e quajti veten Ushtria Islamike e Palestinës, drejtohej nga dy egjiptianët që jetojnë jashtë vendit. Gjatë arrestimeve personave të dyshuar u janë gjetur në zotërim armë dhe lëndë eksplozive. "Ata kanë punuar në organizimin e operacioneve terroriste brenda dhe jashtë vendit", tha ministria. I dyshuari belg i tha policisë gjatë qëndrimit të tij në pyetje, se di ishte i udhëzuar të shoqërojë operativët e Al-Kaedës nga Belgjika në Francë, për të kryer një sulm atje". Sipas policisë egjiptiane disa anëtarë të kësaj celule janë autorizuar për të hyrë në Gaza për të marrë trajnime të avancuara në përgatitjen e eksplozivëve. Disa burime të tjera thanë të dyshuarit ishin gjithashtu të udhëzuar për të kryer sulme kundër pikave turistike dhe në tubacionet e karburantit në gadishullin Sinai. "Reuters" raportonte dje se të arrestuarit akuzohen për sulmin në qendrën Khan al-Khalil, një shesh i mbushur me njerëz ku turistët mund të blejnë sende të kohës së afërt me shekullin e 14-të. Mediat ndërkombëtare por as autoritetet egjiptiane nuk kanë bërë me dije identitetin e të arrestuarve mes të cilëve thuhet se është edhe një grua me origjinë shqiptare me shumë mundësi që të jetë larguar nga vendi prej kohësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›