Padi për armën e zhdukur në ‘97
Armand Bajrami
Edhe pse nuk ia kthyen armën e grabitur në vitin 1997 për të cilën kishte bërë denoncim, rreth 11 vjet më vonë i kërkuan zhdëmtimin e saj në shumën 150 mijë lekë të rinj. Protagonist i historisë është ish-kreu i shoqatës së të përndjekurve politikë, Kurt Kola. Denoncimi që ai kishte bërë për të përjashtuar veten nga ndonjë ngjarje kriminale që mund të kryhej me armën që figuronte në emër të tij i është kthyer në "bumerang" ish-kreut të të persekutuarve politikë. Pak muaj më parë ai ka paditur në Gjykatën e kryeqytetit Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Më anë të kësaj padie Kola kërkonte shfuqizimin e urdhrit që e detyronte atë të paguante për pistoletën që i kishin grabitur 12 vjet më parë. Në Gjykatën e Tiranës, kjo kërkesë po shqyrtohet nga gjyqtarja Manjola Xhaxho, ndërsa në datë 27 maj pritet të jepet vendimi përfundimtar.
PADIA
Në nëntor të vitit të kaluar është regjistruar në Gjykatën e Tiranës çështja me numër 3525. Si palë paditëse në këtë çështje ishte Kurt Kola, ndërsa pala e paditur Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë. Sipas padisë, Kurt Kola kërkon nga gjykata shfuqizimin e aktit administrativ të nxjerrë nga pala e paditur (policia e Tiranës) që e detyron atë të paguajë zhdëmtim në disa mijë lekë. "Shfuqizimin e aktit administrativ nr. 4 datë 14.10.2008 në formën e urdhër zhdëmtimit në ngarkimin tim në shumën 155880 lekë", thuhet në objektin e padisë së bërë nga Kurt Kola.
HISTORIA
Ngjarja prej të cilës Kurt Kola paditi Drejtorinë e Policisë së Tiranës, zë fill në muajin mars të vitit 1997. Më 14 mars, kur shteti nuk ekzistonte dhe strukturat policore nuk funksiononin persona të armatosur kanë hyrë në ambientet e godinës së Shoqatës së ish të përndjekurve politikë, e cila drejtohej nga Kurt Kola. Përveç bastisjes së zyrave, personat e rebeluar kanë marrë edhe një pistoletë. Arma figuronte në pronësi të Kurt Kolës, i cili zotëronte edhe lejen e nevojshme për mbajtjen e saj. Pas përfundimit të trazirave dhe rimëkëmbjes së strukturave shtetërore, ish-kreu i të përndjekurve politikë ka bërë një denoncim në polici për humbjen e armës. Denoncimi, i bërë për të përjashtuar veten nga ndonjë ngjarje kriminale që mund të kryhej me armën e grabitur është bërë me qëllim saktësimin e përkatësisë së saj e cila nuk i përkiste më Kurt Kolës. Edhe pas denoncimit vendndodhja e armës së tij nuk u zbulua ndonjëherë në 14 tetor të vitit 2008 Kolës i kërkohet zhdëmtimi i saj në shumën afërsisht 1 milion e gjysmë lekë të vjetra. I gjendur në këto rrethana Kola iu drejtua gjykatës, duke paditur Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë dhe shfuqizimin e aktit, që i kërkon kryerjen e pagesës së shumës së zhdëmtimit.