E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emergjenca, 400 policë për të mbajtur rendin në Shkodër

 Në ditën e dytë që pas ngritjes, Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile është spostuar në qytetin e Shkodrës. Në mbledhjen e ditës së djeshme janë marrë informacione lidhur me gjendjen në qytet dhe rrethinat e prekura nga përmbytjet. Sipas një njoftimi për shtyp të zyrës së marrëdhënieve me mediat pranë këtij komitetit, në qarkun Shkodër janë të angazhuara rreth 400 forca policore për kontroll territori, me qëllim ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike, evakuimin e popullsisë, në bllokimin e segmenteve rrugore që paraqesin vështirësi, si dhe në ndërhyrjen për shpëtimin e personave që kërcënohen nga rreziku. Gjithashtu mësohet se janë të angazhuara gjithashtu dhe 158 forca speciale, ndërkohë që në terren janë vendosur 23 mjete transporti dhe 5 motobarka. Gjatë misionit për kontrollin e territorit janë evakuar 50 persona që gjendeshin në rrezik për jetën, 370 persona të tjerë të cilët u evakuan në drejtim të Shkodrës. “Njësia e helikopterëve ka realizuar katër fluturime në drejtim të komunës Dajç, për dërgimin e forcave speciale, më qëllim evakuimin e 12 personave të rrezikuar nga përmbytja. Në terren janë gjithashtu 611 forca, pjesëtarë të Forcave të Armatosura me 147 mjete në dispozicion, përfshi edhe tre helikopterë të stacionuar në Shkodër. Deri në mbrëmje, ora 19:00, janë evakuuar nga zona e prekur nga përmbytjet 3407 persona”, thuhet në njoftimin për shtyp. Gjithashtu është bërë e ditur se në të gjitha bankat e nivelit të dytë, që kryejnë shërbime ndaj buxhetit të shtetit, që prej ditës së djeshme është hapur një llogari speciale me emërtimin “Kontribut vullnetar për të shpërngulurit nga përmbytjet natyrore të qarkut Shkodër dhe Lezhë”. Në këtë llogari mund të derdhë kontributin përkatës çdo person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, që dëshiron të kontribuojë financiarisht për të ndihmuar banorët e dëmtuar nga fatkeqësia natyrore e përmbytjeve në qarqet Shkodër dhe Lezhë. “Ndërkohë, në përgjigje të kërkesës së Komitetit Ndërministror, Qendra Operacionale e Koordinimit dhe Reagimit ndaj Fatkeqësive e NATO-s, u ka komunikuar sot të gjithë vendeve anëtare situatën dhe nevojën për ndihmë të Shqipërisë”, bëhet e ditur nga Komiteti i Emergjencës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›